Trump dhe Rubio mbrojnë Hegseth përballë kërkesës për shkarkim nga Kongresi: Fituam dy luftëra me të

10 Nëntor 2026 | 08:50

Presidenti Donald Trump shprehu mbështetjen e tij të plotë për Pete Hegseth, i cili po përballet me një procedurë për shkarkimin e tij, pas nismës së një kongresmeni republikan. Trump bëri të qartë se do të qëndrojë në krah të sekretarit të Mbrojtjes, edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton akuzat kundër tij.

Në mbrojtje të Hegseth u rreshtua edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa kongresmeni Thomas Massie po përpiqet të sigurojë një votim për tetë akuza, të cilat lidhen kryesisht me luftën në Iran dhe ushtrimin e kompetencave të Pentagonit.

Gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp të hënën, presidenti amerikan mbrojti kreun e Pentagonit dhe sulmoi personalisht kongresmenin republikan nga Kentaki, i cili paraqiti sërish një mocion për shkarkimin e Hegseth.

I pyetur nëse do të vazhdonte ta mbështeste sekretarin e Mbrojtjes edhe në rast se ndaj tij niste procedura e shkarkimit, Trump iu referua operacioneve ushtarake të administratës së tij.

“Ne fituam dy luftëra dhe e bëmë botën shumë më të sigurt, ndërsa tani na qenka dashur të përballemi me një procedurë shkarkimi?”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan nuk u mjaftua me mbrojtjen e Hegseth, por sulmoi edhe personalisht Massie-n, duke e cilësuar atë si një “humbës të plotë”, duke përdorur shprehjen angleze “stone cold loser”.

Ndërhyrja e tij erdhi vetëm pak orë pasi tetë pikat e akuzës për shkarkimin e Hegseth u paraqitën zyrtarisht në Dhomën e Përfaqësuesve. Massie e akuzon sekretarin e Mbrojtjes për shkelje të Kushtetutës amerikane dhe shpërdorim të pushtetit.

Në krah të Hegseth u rreshtua edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili e cilësoi të padrejtë përpjekjen për shkarkimin e tij.

Duke folur për gazetarët, kreu i diplomacisë amerikane argumentoi se bashkëpunimi me sekretarin e Mbrojtjes i ka dhënë mundësinë të krijojë një përshtypje personale për aftësitë dhe profesionalizmin e tij.

“Besoj se Pete ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Kam punuar me të pothuajse çdo ditë për shumë çështje. Kam parë punën që bën dhe profesionalizmin e tij. Ai është shumë inteligjent, punon me orë të gjata dhe në të gjitha çështjet politike për të cilat kemi bashkëpunuar, ka bërë një punë të shkëlqyer”, deklaroi Rubio.

Rubio vijoi duke thënë se përvoja e bashkëpunimit të përditshëm i mundëson të njohë aspekte të veprimtarisë së Hegseth që nuk janë domosdoshmërisht të dukshme për gazetarët apo senatorët.

“Kam punuar me të, ndaj ndoshta kam parë një anë të tij që mediat dhe anëtarët e Senatit nuk mund ta shohin”, theksoi ai.

Ai shtoi se Hegseth është përgjegjës për shumë çështje të rëndësishme të administratës Trump, duke nënvizuar rolin e tij në hartimin dhe zbatimin e politikave të saj.

Kongresmeni republikan Thomas Massie paraqiti të hënën pasdite në Dhomën e Përfaqësuesve tetë pika akuze për shkarkimin e Hegseth, duke rikthyer nismën që kishte ndërmarrë shtatorin e kaluar.

Në qendër të akuzave qëndron përfshirja ushtarake e SHBA-së në Iran. Massie pretendon se qeveria amerikane po zhvillon operacione luftarake pa miratimin e nevojshëm të Kongresit.

“Duke zhvilluar operacione luftarake në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të japë llogari”, deklaroi kongresmeni.

Akuzat nuk kufizohen vetëm te lufta me Iranin, e cila nisi gati nëntë muaj më parë.

Massie i referohet gjithashtu sulmeve amerikane ndaj mjeteve lundruese që dyshohet se përdoreshin për trafikimin e drogës. Sipas të dhënave që ai ka cituar, në këto operacione janë vrarë të paktën 243 persona.

Në aktakuzë përfshihen gjithashtu pretendime për përdorim të paligjshëm të forcës ushtarake, shkelje të rregullave që synojnë kufizimin e viktimave civile dhe cenim të të drejtave kushtetuese.

Ndër rastet që përmend kongresmeni janë edhe veprimet e Hegseth ndaj senatorit demokrat Mark Kelly, ish-oficer i Marinës Amerikane, i cili u kishte bërë thirrje pjesëtarëve të forcave të armatosura të mos zbatonin urdhra të paligjshëm.

Massie pretendon se sekretari i Mbrojtjes u përpoq të kufizonte të drejtat e senatorit, duke nisur procedura për uljen e gradës së tij ushtarake pas daljes në pension dhe reduktimin e pensionit.

Kongresmeni republikan sqaroi se nisma e tij nuk bazohet në vlerësimin se sekretari është i paaftë në ushtrimin e detyrës, por në pretendimet për shkelje të ligjit.

“Në këto pika të akuzës për shkarkim nuk ka asnjë pretendim se ai është joefektiv. Pretendimi është se ai ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën. Kjo është çështja që shtrohet përpara kolegëve të mi”, u shpreh ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

I akuzuar për përfshirje në gjenocid, SHBA deporton një person në Ruandë

Një burrë i akuzuar për pjesëmarrje në gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë është deportuar nga Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar. Autoriteti Kombëtar i...
08:42 | 10/11/2026

Përfshihen nga flakët 3 cisterna nafte në Hormuz, Irani akuzon ushtrinë amerikane për shkelje të rregullave (VIDEO)

Këto që po shihni janë pamjet nga momenti kur tre cisterna të ngarkuar me mijëra tonë naftë, përfshihen nga flakët pas një sulmi pranë Ngushticës...
08:41 | 10/11/2026

Gjykata Supreme ‘hap rrugën’ për murin kufitar të Trump në Big Bend të Teksasit

Gjykata Supreme e SHBA-së i ka lejuar presidentit Donald Trump të vazhdojë ndërtimin e një muri kufitar në rajonin Big Bend të Teksasit, duke përfshirë...
08:31 | 10/11/2026