Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nisin sot një raund të ri negociatash në Abu Dhabi, me fokus arritjen e një armëpushimi dhe përcaktimin e garancive të sigurisë për Kievin. Bisedimet pritet të zhvillohen për dy ditë, ndërsa në tryezë do të jenë disa nga çështjet më të vështira të konfliktit, përfshirë mekanizmat për monitorimin e një armëpushimi dhe parandalimin e një sulmi të ri rus.

Takimi do të nisë në orën 11:50 sipas orës lokale, ose 08:50 sipas orës së Evropës Qendrore. Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga i dërguari Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.

Sipas planit, dy përfaqësuesit amerikanë mund të udhëtojnë më pas drejt Moskës, ku pritet të zhvillojnë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë mënyra se si mund të zbatohet dhe monitorohet një armëpushim i mundshëm. Palët pritet të shqyrtojnë mekanizmat që do të garantonin respektimin e tij, si dhe masat që do të pengonin Rusinë të ndërmerrte një tjetër ofensivë kundër Ukrainës.

Për Kievin, garancitë e sigurisë mbeten një element thelbësor i çdo marrëveshjeje, pasi Ukraina kërkon të shmangë përsëritjen e një agresioni të ardhshëm.

Paralelisht me negociatat në Abu Dhabi, përfaqësuesit ukrainas do të zhvillojnë konsultime të veçanta me partnerët evropianë dhe NATO-n, në kuadër të përpjekjeve për të koordinuar qëndrimet mbi sigurinë dhe kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb