Anija turistike “Odyssey”, e cila premtonte një udhëtim trevjeçar në 150 shtete, është sekuestruar në Singapor pasi kompania pronare falimentoi financiarisht dhe la rreth 200 pasagjerë të bllokuar në Kamboxhia.
Anija luksoze “The Odyssey”, e cila ishte nisur nga Belfasti në tetor të vitit 2024 për një udhëtim të jashtëzakonshëm rreth botës, është sekuestruar në Singapor me urdhër gjykate, pas problemeve të rënda financiare të kompanisë që e operonte. Autoritetet portuale të Singaporit konfirmuan se anija ndodhet aktualisht e ankoruar në ujërat portuale të vendit dhe se është vendosur nën sekuestro me vendim gjykate.
Kriza e kompanisë amerikane “Villa Vie Residences” u bë publike muajin e kaluar, kur rreth 200 pasagjerë u detyruan të zbrisnin nga anija në qytetin portual të Sihanoukville, në Kamboxhia. Kompania njoftoi papritur pezullimin e operacioneve, duke argumentuar se ishte përballur me një rritje të jashtëzakonshme të kostove të karburantit, çka e kishte bërë të pamundur vijimin e udhëtimit sipas planit.
Ndërkohë, autoritetet e Singaporit kanë bërë të ditur se anëtarët e ekuipazhit që ndodhen ende në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas tyre, kujdesi dhe mirëqenia e personave në anije po menaxhohen nga kreditorët e saj, ndërsa procedurat e sekuestrimit po vijojnë në bazë të një vendimi gjyqësor. Si avokat përgjegjës për procedurën e sekuestrimit është identifikuar studioja ligjore “Helmsman LLC”, por ende nuk dihet se cilën palë përfaqëson ajo.
“The Odyssey” ishte projektuar për një udhëtim trevjeçar e gjysmë, gjatë të cilit do të vizitonte 150 vende të botës. Projekti u prezantua si një mundësi për të jetuar në një anije që udhëton vazhdimisht në destinacione të ndryshme, duke u ofruar klientëve disa alternativa për akomodimin. Ata mund të blinin kabinën dhe të qëndronin në bord edhe pas përfundimit të udhëtimit fillestar, të paguanin për një rezidencë pesëvjeçare ose të merrnin me qira një kabinë për disa ditë.
Sipas faqes së kompanisë, çmimet për blerjen e përhershme të kabinave varionin nga 120 mijë deri në 440 mijë dollarë, ndërsa qiraja mujore niste nga 3.500 dollarë. Themeluesi i kompanisë, Mikael Petterson, e kishte reklamuar projektin me premtimin se klientët mund të zotëronin një shtëpi në një anije që udhëton nëpër botë, për një çmim të krahasueshëm me atë të një makine.
Megjithatë, projekti u përball me probleme që në nisje. Udhëtimi i parashikuar për tetorin e vitit 2024 u shty me katër muaj për shkak të riparimeve dhe dokumentacionit të paplotësuar. Vështirësitë financiare u bënë edhe më të dukshme gjatë muajve në vijim. Gjatë qëndrimit në Vietnam, sipas raportimeve të mediave amerikane, anëtarë të ekuipazhit u detyruan të blinin ushqime në dyqane lokale, pasi kompania kishte detyrime të papaguara ndaj një furnizuesi, i cili kishte refuzuar të vazhdonte dërgesat.
Problemet ishin paralajmëruar edhe më herët. Në muajin gusht, kur anija kishte mbërritur në Singapor, kompania kishte informuar pasagjerët për vështirësitë financiare dhe u kishte kërkuar të kontribuonin me para shtesë për të siguruar vazhdimin e udhëtimit. Në atë kohë, ishte përmendur edhe rreziku që anija të ndalohej për shkak të detyrimeve financiare.
Një prej pasagjereve, Holly Hennessey, kishte deklaruar më herët për BBC-në se udhëtarëve u ishte kërkuar të merrnin në konsideratë pagesën e një tarife shtesë për karburantin, ndërsa itinerari ishte shkurtuar ndjeshëm nga ai që u ishte premtuar fillimisht.
Në një deklaratë të publikuar më 27 tetor, kompania argumentoi se lufta në Iran kishte ndikuar në rritjen e çmimeve të karburantit, duke bërë që kostot mujore për kabinë në disa zona të Azisë të arrinin deri në 8.000 dollarë, nga rreth 1.800 dollarë më parë.
Kompania tha se kishte ndërmarrë masa të rëndësishme për të ulur konsumin e karburantit, por ato nuk kishin mjaftuar për të përballuar rritjen e jashtëzakonshme të shpenzimeve. Ajo shtoi se po punonte me banorët e anijes për të gjetur zgjidhje të përkohshme akomodimi në Kamboxhia.
Pas përfundimit të papritur të udhëtimit në Kamboxhia, “The Odyssey” u rikthye në Singapor në fillim të këtij muaji, por këtë herë udhëtimi i saj u ndërpre nga një vendim gjykate që çoi në sekuestrimin e anijes.
