Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë hekuri dhe çeliku në Turqinë Perëndimore ka shkaktuar të paktën 17 viktima dhe 12 të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në uzinën Habas Demir Celik, në zonën e Aliagas, pranë qytetit portual të Izmirit, ku të gjithë viktimat dhe të plagosurit ishin punonjës të fabrikës.

Sipas autoriteteve turke, shpërthimi ndodhi rreth mesditës, gjatë punimeve të mirëmbajtjes në një prej furrave elektrike të uzinës. Guvernatori i Izmirit, Suleyman Elban, bëri me dije se një vinç që transportonte një kaldajë zëvendësuese u shemb, duke bërë që materialet të binin brenda furrës dhe të shkaktonin shpërthimin.

Pamjet nga vendngjarja treguan një zjarr të madh brenda ambienteve të fabrikës dhe një re të lartë tymi që ngrihej në ajër. Dëshmitarët thanë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa toka u drodh, duke bërë që fillimisht disa prej tyre të mendonin se bëhej fjalë për një tërmet.

Bilanci i viktimave u rëndua edhe më tej pasi një prej të plagosurve rëndë ndërroi jetë në spital. Fillimisht, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi 16 viktima, por më vonë ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, njoftoi se numri kishte shkuar në 17.

Guvernatori Elban deklaroi se disa persona dyshohet se mund të ndodhen ende nën rrënoja, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijonin operacionet në zonë.

Ndërkohë, sipas shërbimit turk të BBC-së, që citon raportime të mediave lokale, pesë persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen. Kompania administruese e uzinës bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes.

Aksidentet në vendin e punës vijojnë të mbeten një problem serioz në Turqi. Organizata e pavarur Turkish Health and Safety Labor Uatch ka ngritur vazhdimisht shqetësime për sigurinë e punëtorëve dhe numrin e lartë të aksidenteve në sektorë të ndryshëm të industrisë.

Fabrika Habas ndodhet në Aliaga, një zonë e rëndësishme industriale dhe portuale, e njohur gjithashtu si një prej qendrave kryesore të çmontimit të anijeve në Turqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb