Fegja Dimoviç, kandidat i Listës Studentore në Serbi, tha se Kosova zë vend të rëndësishëm në programin politik të listës, që e konsideron atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”. Dimoviç dhe pesë kandidatë të tjerë të lëvizjes studentore vizituan Kosovën gjatë fundjavës—vizitë e parë pas fitores së tyre në zgjedhjet në Serbi. “Nga kjo vizitë kthehemi me forcën që do të na nevojitet për ta çliruar vendin tonë nga kthetrat e krimit të organizuar. Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi Dimoviç në Facebook.
Lista Studentore ka deklaruar se sa i përket Kosovës do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, megjithë shpalljen e pavarësisë nga Kosova në 2008 dhe njohjen nga shumë shtete. Në delegacion, përveç Dimoviçit, ishin Millena Petroviç, Emillija Markoviç, Jugosllav Gashiç (nga Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut) dhe Nemanja Karoviç.
Sipas njoftimit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, gjatë vizitës ata u takuan vetëm me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe. Kandidatët u takuan në Manastirin e Graçanicës me mitropolitin Teodosije për t’u njohur me jetën e komunitetit serb dhe me sfidat që përballet Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Përfaqësuesit e Listës Studentore shprehën gatishmërinë që, përmes punës dhe angazhimit të tyre të ardhshëm në institucione, t’u kushtojnë vëmendje mbrojtjes së komunitetit serb, të drejtave të tij dhe objekteve të shenjta ortodokse, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me banorët serbë të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua lëvizjes studentore për më shumë hollësi rreth vizitës, qëllimit dhe planeve të ardhshme, përfshirë nëse do të ketë takime me përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk mori përgjigje. Më 7 nëntor, Jugosllav Gashiç përsëriti se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, të cilën e bëri përgjegjëse për përkeqësimin e pozitës së serbëve në Kosovë. Lista Serbe udhëheq komunat me shumicë serbe dhe mban nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Pas fitores së Listës Studentore më 25 tetor, Lista Serbe tha se “i merr parasysh” rezultatet dhe shfaqi shpresën për vazhdim të bashkëpunimit institucional. Lista Studentore pritet të formojë vetë Qeverinë e re të Serbisë; ende nuk dihet kush do të propozohet për kryeministër dhe nuk është prezantuar një program i qartë politik. (REL)
