Një ngjarje shqetësuese vjen nga Dukat Fushë, ku një biznes është bërë prej kohësh objekt i vjedhjeve dhe kërcënimeve.
Sipas denoncimit të pronarit, më datë 5 tetor është konstatuar një vjedhje në biznes. Rasti është kallëzuar në polici dhe janë vënë në dispozicion edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Megjithatë, familjarët thonë se, pavarësisht identifikimit të personave të dyshuar, nga Policia e Orikumit nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për zbardhjen e ngjarjes.
Situata ka marrë një tjetër përmasë mbrëmjen e djeshme. Të njëjtët persona, sipas familjarëve, janë rikthyer në biznes, këtë herë pa mbuluar fytyrat, dhe kanë terrorizuar djalin e pronarit duke e kërcënuar me hanxharë dhe mjete hekuri së bashku me klientët e tjerë.
Familjarët shprehen se janë të traumatizuar dhe të frikësuar për sigurinë e tyre. Ata ngrenë akuza të rënda ndaj mënyrës se si është trajtuar denoncimi nga Policia e Orikumit dhe kërkojnë hetim për mosveprimin e pretenduar të efektivëve.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e bizneseve në zonë. Nuk mund të pranohet që qytetarët të ndihen të pambrojtur pikërisht pasi u janë drejtuar institucioneve për ndihmë.
Familja kërkon ndërhyrjen urgjente të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe të Prokurorisë për të hetuar vjedhjen e 5 tetorit, kërcënimin e mbrëmshëm dhe pretendimet për mosveprim nga Policia e Orikumit.