Elshani: Janë ekzekutuar pagesat për operatorët ekonomikë, pritet rifillimi i punës në shkolla dhe çerdhe

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, punëtorët teknikë të të cilëve ishin në grevë.
Përmes një postimi, Elshani ka bërë të ditur se pagesat janë realizuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa tani pret që puna në shkolla dhe çerdhe të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një Task-Force në ditët në vijim, e cila do të mbikëqyrë higjienën në të gjitha shkollat dhe çerdhet e kryeqytetit.
Sipas Elshanit, përmes këtij mekanizmi do të kërkohet respektimi i standardeve higjieno-sanitare dhe përgjegjësi nga operatorët ekonomikë dhe punonjësit e Drejtorisë së Arsimit.
“Shëndeti i fëmijëve tanë është i panegociueshëm”, ka theksuar Elshani. /Telegrafi/





































