Pas ndërprerjes së seancës ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, janë deklaruar babai i viktimës, Gëzim Kastrati, dhe avokatja e familjes, Miranda Haxhiu.
Kastrati ka deklaruar se drejtësia është e vonuar, por presin që rasti të marrë epilogun e merituar.
“Siç e tha edhe avokatja, ky rast pas 15 viteve është një drejtësi e vonuar, por besojmë dhe shpresojmë se do ta marrë epilogun e merituar për të gjitha këto vite, për të gjitha këto vuajtje, për gjithë shkaktarët e vuajtjeve familjare, shoqërisë, vendit të punës, dhe juve si media dhe institucioneve që këta tentojnë të japin drejtësi”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati foli edhe për atë që e cilësoi si neglizhencë të institucioneve shtetërore para vrasjes së vajzës së tij, duke thënë se nuk kishte arritur të dëgjohej nga askush për të shprehur shqetësimet dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën.
“Para një muaji kemi pranuar një thirrje për këtë gjykim. Mirëpo, këto janë raste që unë kam ngritur zërin qysh në vitin 2011. Pas rastit të vajzës sime. Po, edhe para rastit të vajzës sime, 6 muaj jam marrë me këtë çështje. Atëherë s’ka qenë Pallati i Drejtësisë. Ka pasur shtëpi dhe institucione të tjera. Askush nuk më ka pranuar që të flas, të shprehem, të prononcohem për situatën, që të e zgjidhim këtë çështje. Por edhe sot, edhe nesër, nuk do të ndalemi. Inshallah, do Zoti dhe ndalemi këtu rasti, që mbas të komunikojmë, mbas të flasim”, ka deklaruar Kastrati para mediave.