Të paktën 66 ushtarë janë dënuar me vdekje në Republikën Demokratike të Kongos, pasi u shpallën fajtorë për frikacakëri, kryengritje dhe mosbindje ndaj urdhrave gjatë luftimeve kundër grupeve të armatosura në lindje të vendit.

Vendimi u dha nga një gjykatë ushtarake në Ualikale, në provincën e Kivu-së së Veriut, pas gjykimit të 71 ushtarëve. Katër prej tyre u shpallën të pafajshëm, ndërsa një tjetër u dënua me 10 vite burg.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ushtarët ishin arrestuar më 20 tetor në Ualikale, pasi dyshohet se kishin braktisur pozicionet e tyre dhe ishin larguar nga fronti gjatë përplasjeve me luftëtarët e koalicionit rebel Fronti për Rindërtimin e Kombit (FRN), ku përfshihet edhe grupi M23.

Ushtria kongoleze deklaroi se gjyqi synonte të forconte disiplinën mes trupave, në një kohë kur forcat qeveritare po përballen me grupe të armatosura në lindje të vendit. Megjithatë, fushata ushtarake kundër rebelëve është penguar prej kohësh nga problemet e organizimit dhe mungesa e disiplinës në radhët e ushtrisë.

Forcat qeveritare janë përballur vazhdimisht me kritika për mungesën e profesionalizmit, ndërsa vetë ushtarët kanë ngritur shqetësime për pagat e ulëta dhe pajisjet e pamjaftueshme. Qeveria e Kongos ka akuzuar vazhdimisht Ruandën se mbështet grupin M23, pretendime që janë mohuar nga Kigali dhe vetë rebelët.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Muajin e kaluar, 27 ushtarë të tjerë u dënuan me vdekje për akuza të ngjashme, pasi dyshohet se ishin tërhequr nga vija e frontit gjatë përleshjeve me rebelët.

Në mars të vitit 2024, Republika Demokratike e Kongos hoqi moratoriumin 20-vjeçar për zbatimin e dënimit me vdekje. Qeveria argumentoi se ky vendim ishte i nevojshëm për të ndëshkuar tradhtarët brenda ushtrisë, ndërsa dënimi kapital do të zbatohej edhe ndaj personave të përfshirë në grupe të armatosura, kryengritje, tradhti dhe krime lufte.

Vendimi u kritikua gjerësisht nga organizatat për të drejtat e njeriut. Megjithatë, që prej heqjes së moratoriumit nuk është ekzekutuar zyrtarisht asnjë person. Sipas të dhënave të përmbledhura nga transmetuesi francez RFI, që nga fillimi i vitit 2025 të paktën 507 ushtarë janë dënuar, 381 prej tyre me vdekje.

Ndërkohë, në tetor të vitit 2025, ish-presidenti i Kongos, Joseph Kabila, u dënua me vdekje në mungesë, nën akuza që përfshinin krime lufte dhe tradhti. Ai i ka mohuar akuzat, por nuk u paraqit në gjykatë për t’u mbrojtur. Më vonë, ai u emërua si udhëheqës i koalicionit rebel FRN.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb