Qytetarja që denoncoi shtetasen italiane tregon më në detaje se çfarë qëndron pas kësaj historie, e cila duket se është shumë më e ndërlikuar nga sa është paraqitur fillimisht.
Sipas saj, zonja Maria nuk ka asnjë lidhje me klinikën që italiania ka denoncuar, por përkundrazi, është një person që është përpjekur ta ndihmojë. Megjithatë, edhe ajo ka përfunduar në mes të akuzave, pavarësisht se nuk ka qenë përgjegjëse për trajtimin dentar.
Nga ana tjetër, qytetarja vë në pikëpyetje deklaratat e italianes se po detyrohet t’i ribëjë dhëmbët në Itali. Ajo ka sjellë fotografi dhe një dokument të nënshkruar nga vetë pacientja, ku kjo e fundit shprehet e kënaqur me punimet dentare të kryera në një klinikë tjetër.
Denoncuesja pretendon se kjo nuk është një situatë e izoluar, pasi italiania ka pasur përplasje edhe me klinika të tjera dhe njihet në disa komisariate për ankesat e saj. Sipas saj, pas këtyre konflikteve fshihet një mënyrë e përsëritur veprimi: marrja e shërbimeve dentare dhe më pas kërkesa për kthimin e parave.
Qytetarja e cilëson këtë një skemë përfitimi personal dhe ngre shqetësimin për dëmin që pretendon se u shkaktohet bizneseve shqiptare.