Një gazetare dhe prezantuese televizive në Pakistan ka humbur jetën në rrethana tragjike, pasi u qëllua me armë zjarri brenda shtëpisë së saj. Viktima është 41-vjeçarja Rabia Ahsan, ndërsa i dyshuari kryesor për ngjarjen është bashkëshorti i saj, Ahsan Tahir, i cili tashmë ndodhet në pranga.
Krimi është regjistruar të dielën, pak përpara orës 16:00, në qytetin Rawalpindi. Sipas raportimeve të mediave vendase, në momentin kur ndodhën të shtënat, nëna dhe motra e gazetares ndodheshin jashtë banesës.
Ka qenë motra e 41-vjeçares ajo që ka dëgjuar zhurmën e armës dhe është nxituar drejt dhomës së gjumit. Aty ka gjetur Rabian të shtrirë në dysheme, të mbuluar nga gjaku, ndërsa bashkëshorti i saj raportohet se mbante ende armën në duar.
Nga ekzaminimet mjekoligjore ka rezultuar se prezantuesja kishte marrë dy plagë me armë zjarri, një në qafë dhe një tjetër në anën e djathtë të shpinës.
Policia ka sekuestruar armën e gjetur në vendngjarje, ndërsa nga verifikimet paraprake është konstatuar se bashkëshorti i viktimës nuk dispononte leje për mbajtjen e saj.
Pas arrestimit, Ahsan Tahir dyshohet se ka pranuar se ishte ai që kishte shkrepur armën, por ka mohuar që të ketë pasur qëllim të vriste bashkëshorten.
Sipas versionit të tij, gjithçka ka ndodhur aksidentalisht, pasi nuk ishte në dijeni se pistoleta kishte municion.
Megjithatë, rrethanat e ngjarjes dhe natyra e plagëve të konstatuara te viktima janë pjesë e hetimit që po zhvillohet nga autoritetet pakistaneze, të cilat po përpiqen të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një vrasje të qëllimshme apo për një shkrepje aksidentale, siç pretendon i arrestuari.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është aktiviteti i fundit publik i gazetares. Vetëm pak orë përpara se të humbiste jetën, Rabia Ahsan kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube, ku analizonte zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet e mesit të mandatit.
Sipas informacioneve të publikuara deri tani, nuk rezultojnë të jenë raportuar konflikte apo episode të mëparshme dhune mes bashkëshortëve.
Çifti kishte dy fëmijë, të cilët tashmë kanë mbetur pa nënën e tyre.
Ndërkohë, hetuesit po vijojnë mbledhjen e provave dhe dëshmive për të rindërtuar momentet e fundit të jetës së 41-vjeçares dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësinë e bashkëshortit në këtë ngjarje të rëndë.
