Bizneset që kundërshtojnë vendimet e institucioneve publike në procedurat e tenderimit pritet të përfitojnë nga ndryshimi i rregullave për kthimin e tarifave të ankimit. Një projektligj i depozituar në Kuvend parashikon që operatorëve ekonomikë t’u kthehet tarifa e paguar edhe në raste të caktuara kur ankesa pranohet vetëm pjesërisht nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Ndryshimi synon të ulë barrën financiare që përballojnë kompanitë kur kundërshtojnë dokumentet e tenderit apo vlerësimin e ofertave, duke e lidhur kthimin e tarifës me efektin konkret që vendimi i KPP-së ka mbi procedurën e prokurimit.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin për ndryshimet në ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, propozohet riformulimi i pikës 3 të nenit 120, që rregullon pagesën për ankimin.
Parashikimi i ri përcakton se, kur ankesa pranohet plotësisht, tarifa i kthehet operatorit ekonomik ankimues ose operatorit të interesuar që ka kundërshtuar vendimin e autoritetit kontraktor, brenda pesë ditëve nga marrja e vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Ndërkohë, në rastet kur ankesa pranohet pjesërisht, kthimi i tarifës do të varet nga pasojat që sjell vendimi i KPP-së.
Nëse ankesa lidhet me dokumentet e tenderit dhe pranimi i pjesshëm sjell ndryshimin e tyre, biznesit do t’i kthehet tarifa e paguar. E njëjta gjë parashikohet edhe kur ankesa pranohet pjesërisht dhe sjell ndryshime në vendimmarrjen e autoritetit kontraktor lidhur me procesin e vlerësimit të ofertave.
Por, nëse Komisioni i Prokurimit Publik e pranon pjesërisht ankesën, pa ndryshuar vendimmarrjen e institucionit që ka zhvilluar tenderin, tarifa nuk do t’i kthehet kompanisë.
Kjo do të thotë se jo çdo vendim për pranimin e pjesshëm të ankesës do të shoqërohet automatikisht me kthimin e pagesës. Elementi përcaktues do të jetë nëse ankimi ka prodhuar ndryshime konkrete në procedurën e prokurimit.
Qeveria pranon mangësitë e sistemit aktual të ankimimit
Në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit, që shoqëron projektligjin, qeveria pranon se sistemi aktual i ankesave në prokurimet publike ka mangësi administrative dhe probleme që lidhen me mbrojtjen juridike të operatorëve ekonomikë.
Një prej problematikave të identifikuara është mungesa e një mekanizmi proporcional për kthimin e tarifave të ankimit, bazuar në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik.
Sipas dokumentit, këto mangësi krijojnë ngarkesa për subjektet pjesëmarrëse në procedurat e tenderimit dhe cenojnë të drejtat e palëve gjatë procesit.
Ndryshimet ligjore synojnë të krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet pagesës së kryer nga biznesi dhe rezultatit të ankimit, duke shmangur kthimin e tarifave në rastet kur vendimi i KPP-së nuk sjell ndryshime konkrete.
Për kompanitë, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, pagesa për paraqitjen e një ankese përfaqëson një kosto shtesë në procesin e konkurrimit për kontratat publike. Kur kjo pagesë nuk rikuperohet, ajo i shtohet shpenzimeve që biznesi ka kryer për përgatitjen e dokumentacionit dhe pjesëmarrjen në tender./Monitor