Policia e Shtetit ka evidentuar dhe goditur 132 mijë fidanë kanabisi në tentativë kultivimi gjatë vitit 2026, nga 17 447 të tillë të konstatuar një vit më parë. Të dhënat u bëra publike nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë konferencës së përbashkët me Guardia di Finanza-n italiane, ku u prezantuan rezultatet e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas Hitës, këtë vit puna e Policisë është përqendruar te parandalimi i kultivimit, përmes shtimit të kontrolleve në zonat e thella rurale dhe malore, përdorimit të teknologjisë dhe intensifikimit të veprimeve informative e hetimore. Për monitorimin e territorit janë përdorur 84 dronë, ndërsa në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n janë realizuar 62 misione fluturimi, 10 më shumë se gjatë vitit 2025.
Nga hetimet për veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 persona. Ndërkohë, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar 89 persona, mes tyre kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të shërbimit pyjor e mjedisor.
Gjatë konferencës, Hita bëri të ditur se në vitin 2026 janë goditur edhe 17 raste të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, përmes përdorimit të llambave.
Ai theksoi se angazhimi i Policisë nuk është përqendruar vetëm te kultivimi, por edhe te shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, veçanërisht pranë institucioneve arsimore. Në këtë kuadër, gjatë vitit janë finalizuar 31 operacione, përmes të cilave janë goditur dhjetëra raste të shitjes së drogës në afërsi të shkollave.
Drejtori i Policisë paralajmëroi se gjatë vitit 2027 do të vijojë puna për goditjen e kultivimit në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë farat narkotike, si dhe zbulimin e personave që financojnë dhe organizojnë këtë veprimtari kriminale.
Hita nënvizoi gjithashtu se prioritet do të mbetet parandalimi i përfshirjes së të miturve dhe të rinjve në veprimtarinë e narkotikëve, si dhe goditja e shitjes dhe shpërndarjes së drogës në mjediset pranë shkollave.
Në kuadër të bashkëpunimit me palën italiane, ai vlerësoi kontributin e Guardia di Finanza-s, duke theksuar se misionet e përbashkëta të fluturimit dhe përdorimi i teknologjisë kanë ndihmuar në monitorimin e zonave të vështira malore. Sipas tij, gjatë këtij viti janë zhvilluar edhe shtatë misione me helikopterë të Forcave të Armatosura.