132 mijë fidanë kanabisi janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë gjatë vitit 2026, ndërsa 165 persona janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht për veprimtari që lidhen me kultivimin e bimëve narkotike. Shifrat janë bërë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë konferencës së përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza, ku u prezantuan rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit. Gjatë fjalës së tij, Hita u ndal te masat parandaluese, kontrollet në territor, përdorimi i teknologjisë dhe bashkëpunimi me partnerët italianë.
“Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj tradite të rëndësishme dhe tashmë të konsoliduar të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, kolegët dhe miqtë tanë italianë. Kjo tryezë e përvitshme nuk është thjesht një moment formal raportimi, por një platformë me rëndësi të veçantë strategjike, që mundëson vlerësimin me transparencë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të rezultateve të arritura në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026. Sot jemi së bashku për të prezantuar dhe vlerësuar punën e madhe të bërë përgjatë këtij viti, në luftën kundër kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit. Periudha e gjatë e bashkëpunimit me Policinë italiane dhe, nëpërmjet saj, me Guardia di Finanza, dëshmon konsolidimin e një qëllimi të përbashkët, ndërtimin e shoqërive më të sigurta, me shkolla të pastra dhe me rini larg fenomeneve që cenojnë shëndetin, jetën dhe të ardhmen e saj”, deklaroi Hita.
Drejtori i Policisë së Shtetit bëri të ditur se gjatë vitit 2026 është rritur angazhimi për parandalimin e kultivimit të kanabisit, përmes shtimit të kontrolleve në zonat rurale dhe malore, si dhe përdorimit të mjeteve teknologjike.
“Gjatë këtij viti, kapacitetet policore janë orientuar në dy drejtime me ndikim afatgjatë në sigurinë publike. Në rritjen e forcës parandaluese kundër kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet intensifikimit të pranisë së punonjësve të Policisë në zonat e thella rurale dhe malore, kontrollit të territorit duke përdorur, krahas kontrollit tokësor, edhe 84 dronë, si dhe ndërmarrjes së veprimeve proaktive dhe përdorimit efektiv të teknologjisë. Integrimi i këtyre elementeve dhe dhënia e përparësisë forcës parandaluese ka mundësuar goditjen që në fazat fillestare, të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet sekuestrimit të farave të siguruara me qëllim kultivimin, si dhe asgjësimit të fidanëve të kanabisit në kubikë ose të sapombjellë në tokë. Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar. Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale”, u shpreh Hita.
Sipas tij, për veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 persona.
“Për sa i përket evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në tërësi, është punuar intensivisht, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në drejtimin e Prokurorisë, dhe si rezultat janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë. Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin.
Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste”, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.
Hita vlerësoi bashkëpunimin me partnerët italianë, duke theksuar se teknologjia dhe mbështetja e Guardia di Finanza kanë ndihmuar në kontrollin e territorit dhe identifikimin e parcelave të kultivuara me kanabis.
“Për të arritur këto rezultate, nuk ishim vetëm. Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Nëpërmjet 62 misioneve të fluturimit, pra 10 misione më shumë se gjatë vitit të kaluar, ky partneritet model bëri të mundur skanimin e një pjese të konsiderueshme të territorit.
Rritja e këtij efikasiteti krahasuar me vitin 2025, si dhe asistenca në 7 raste, me helikopterë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshmojnë kapacitetet aktuale për të kapërcyer vështirësitë e relievit dhe për të kontrolluar zona të thella malore, të cilat më parë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, konsideroheshin nga financuesit, organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, si oaze ku mund të zhvillonin në fshehtësi veprimtarinë e tyre kriminale”, tha Hita.
Një tjetër prioritet i Policisë së Shtetit gjatë vitit 2026 ka qenë goditja e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht pranë institucioneve arsimore. Hita bëri të ditur se gjatë këtij viti janë finalizuar 31 operacione, përmes të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së drogës pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.
“Së dyti, në vijim të goditjes së kultivimit dhe prodhimit të bimëve narkotike, angazhimi ynë është përqendruar dhe do të vijojë të përqendrohet në parandalimin dhe goditjen pa kompromis të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, përfshirë edhe drogat e forta, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Ky aspekt, gjatë këtij viti, nëpërmjet porosive të mia të vazhdueshme, ka qenë prioritet absolut i punës së Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor.
Konkretisht, gjatë vitit 2026, janë finalizuar 31 operacione, gjatë të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ndër to, veçohen operacionet që kanë pasur ndikim të gjerë në qarqet kryesore të vendit, bazuar në sasinë e lëndëve narkotike të sekuestruara dhe numrin e shtetasve të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale për këtë veprimtari kriminale”, deklaroi Hita.
Ai theksoi se vëmendja e Policisë do të jetë e përqendruar te parandalimi i përfshirjes së të miturve dhe të rinjve në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët.
“Fokusin dhe vëmendjen prioritare gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do ta kenë parandalimi dhe goditja në kohë e çdo tentative për të përfshirë të miturit dhe të rinjtë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për të depërtuar me paligjshmëri në mjediset shkollore”, u shpreh ai.
Duke folur për objektivat e vitit të ardhshëm, kreu i Policisë së Shtetit tha se puna do të përqendrohet jo vetëm te kultivuesit, por edhe te rrjetet që sigurojnë farat, financojnë dhe organizojnë këtë veprimtari kriminale.
“Duke u mbështetur në intensifikimin e angazhimit policor, partneritetin me qytetarët, profesionalizmin e shkëmbyer me homologët e GdF-së dhe teknologjinë bashkëkohore, në vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se viti 2027 do të paraqesë sfida të tjera për Policinë e Shtetit, duke përfshirë edhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve të rëndësishme.
“Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, viti 2027 do të vijojë të jetë një sfidë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura gjatë viteve të fundit. Përpara do të kemi disa zhvillime që kërkojnë angazhim maksimal të strukturave policore, devotshmëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për të garantuar ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve policore, me qëllim ofrimin e parametrave optimalë në fushën e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, si dhe menaxhimin dhe garantimin e sigurisë gjatë aktiviteteve të rëndësishme, si zgjedhjet vendore, sezoni turistik veror, siguria në shkolla etj”, theksoi ai.








