Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e të pandehurit Merxhan Çeliku për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me “Arrest në shtëpi”, i cili akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal i cili zhvati 50 mln euro përmes mashtrimit nga call center.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se vendimi është marrë më 9 nëntor 2026 nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka vendosur pranimin e kërkesës së Çelikut dhe ndryshimin e masës së sigurisë që i ishte caktuar në nëntor të vitit 2022.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Çeliku nuk duhet të largohet nga banesa e tij, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet aty për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.

Kujtojmë se 32-vjeçari Merxhan Çeliku, pas dy vitesh në arrati, falë shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare, Interpol dhe autoriteteve në Abu Dhabi, u arrestua në 2024 për t’u ekstraduar më pas në vendin tonë.

Zbulimi i skemës së mashtrimit që dyshohet se kishte shkaktuar një dëm ekonomik prej më shumë se 50 milionë euro ndodhi në nëntor të vitit 2022 operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle në Bashkëpunim me SPAK.

Autoritetet zbuluan 15 call centera të ngritura 6 në Shqipëri dhe të tjerat në Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëpërmjet thirrjeve telefonike të punësuarit në këto call centre u prezantoheshin qytetarëve si ndërmjetës që do t’i ndihmon të investonin në kriptovaluta shuma të vogla parash dhe përfitimet më pas do të ishin kolosale.

Por këto shuma që investoheshin nga qytetarët, kryesisht të vendeve të BE, përvetësoheshin nga ky grup kriminal. Të mashtruarit llogariten me mijëra nga shtete të ndryshme të botës dhe dëmi i shkaktuar ndaj tyre llogaritet në 50 milionë euro në çdo tremujor.