Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në nje fshat të Burrelit, ku një i moshuar ka përfunduar në gjendje kritike për jetën, pasi dyshohet se është djegur nga vajza e tij me benzine.

Adem Mara, 84 vjeç, vijon të qëndrojë në reanimacionin e repartit të djegieve në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor për plagët e rënda të shkaktuara nga flakët që i kanë përfshirë trupin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur disa ditë më parë. Sipas dyshimeve paraprake, vajza e tij, 43 vjeçe, e ka lyer të atin me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën, duke e lënë të moshuarin me djegie të rënda.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe kanë njoftuar më pas autoritetet për atë që kishte ndodhur. Ndërsa 84-vjeçari lufton për jetën në reanimacionin e djegieve, vajza e tij është arrestuar nga policia, nën dyshimet për përfshirjen në këtë akt të rëndë. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje që ka tronditur zonën e Burrelit.

Një dramë familjare që këtë herë ka marrë përmasa tragjike, duke e lënë një të moshuar në luftë me vdekjen, në moshën kur duhej të kishte përpara vetëm kujdesin dhe dashurinë e familjes. Ndiqni rrëfimin e djalit të 84 vjeçarit në emisionin Zemër e Hapur të moderatores Evis Ahmeti në News24.

Ai mohon që motra të ketë pasur si qëllim të vrasë babanë, duke shtuar se ka djegur edhe rrobat e saj.

Djali i 84-vjeçarit: Unë jetoj me fëmijët e mi, ndaras nga babai e motra e vëllai tjetër.

Ngjrjen e mora vesh me anë të telefonit. Ata jetojnë bashkë disa persona. Motra nuk ka pasur qëllim të djegë babanë. Babai ka plagë vetëm në fytyrë. Motra iu ka vënë flakën rrobave të veta. Nuk ka pasur konflikt me babanë. Motra është me KEMP nga spitali psikiatrik nga Spitali nr 5 në Tiranë. Nuk ka qenë e martuar asnjëherë.

Ndonjë përplasje edhe mund të kenë pasur, se çdokush ka, por nuk ka pasur qëllim që ta djegë babanë. Nëna ime ka ndërruar jetë. Doktori i ka dhënë ilaçe motrës e ajo nuk i ka pirë. Motra ndodhet në burg në Pogradec. Ne jemi duke u marrë me shëndetin e babait. Për motrën, kam pyetur tek administrata e burgut në Pogradec dhe më thanë se është mirë. Motra nuk ka qenë edukatore, se nuk ka shkollë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb