Një shpërthim në qytetin e Oviedos, në veri të Spanjës, i mori jetën një efektivi të Policisë Kombëtare dhe plagosi rëndë një koleg të tij.
Policët kishin shkuar në vendngjarje mëngjesin e kësaj të marte, pas një thirrjeje për një konflikt të dhunshëm mes dy familjeve. Gjatë përplasjes, një burrë kishte qëlluar me armë zjarri një grua të re. Sipas autoriteteve, jeta e saj nuk është në rrezik.
Të lidhura
None found
Në hyrje të një pallati, efektivët gjetën një çantë shpine që përmbante një pajisje shpërthyese. Sindikata e policisë JUPOL bëri të ditur se shpërthimi ndodhi teksa ata po e largonin çantën nga ndërtesa për të mbrojtur banorët.
Polici që humbi jetën ishte pjesë e njësisë së qenve të Policisë Kombëtare. Efektivi i plagosur shërbente në njësinë për çaktivizimin e eksplozivëve; ai ka humbur njërën këmbë nga shpërthimi dhe ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Autoritetet spanjolle po hetojnë rrethanat e ngjarjes, me vëmendje te konflikti mes dy familjeve dhe vendosja e pajisjes shpërthyese.








