Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e nesërme, më 11 nëntor, në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Përmes një njoftimi, sindikata bën me dije se tubimi organizohet në shenjë proteste ndaj mungesës së reagimit nga institucionet përgjegjëse, konkretisht Ministria e Transportit, Bashkëqeverisja dhe Bashkia e Tiranës, për zgjidhjen e kërkesave të përsëritura të përfaqësuesve të sektorit.
Ndër kërkesat kryesore të taksistëve është ndalimi i dhënies pa kriter të licencave të reja, si dhe largimi nga qarkullimi i taksive që operojnë pa licencë.
Gjithashtu, sindikata kërkon uljen e taksave për sektorin e transportit taksi dhe subvencionimin e këtij aktiviteti, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të adresuar problematikat me të cilat përballen operatorët.
Protesta pritet të zhvillohet të mërkurën, në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza”.

