Një aksident zinxhir me pasoja tragjike ka ndodhur mëngjesin e së martës në juglindje të Bullgarisë, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 48 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dhjetëra automjeteve.
Ngjarja është regjistruar në autostradën Trakia, pranë qytetit të Jambolit, një nga akset kryesore rrugore që lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit.
Sipas informacioneve të publikuara, në dy aksidente të ndodhura pothuajse njëkohësisht janë përfshirë mbi 50 automjete, mes tyre makina, furgonë dhe kamionë të tonazhit të rëndë.
Bilanci i viktimave u konfirmua nga kryeministri bullgar, Rumen Radev, i cili deklaroi për mediat se deri në atë moment ishin regjistruar 11 të vdekur dhe 48 persona të lënduar.
Aksidentet kanë ndodhur në të dyja drejtimet e autostradës, pranë nyjës rrugore të Zimnicës. Njëra përplasje është regjistruar në korsitë që të çojnë drejt Burgasit, ndërsa tjetra disa kilometra më larg, në drejtim të Sofjes.
Alarmi i parë në shërbimet e emergjencës është dhënë rreth orës 07:10 të mëngjesit, duke vënë në lëvizje një numër të madh ambulancash, zjarrfikësish dhe forcash policore.
Pamjet ajrore të publikuara nga televizioni bullgar Nova tregojnë përmasat e rënda të aksidenteve. Dhjetëra automjete shihen të përplasura ose të bllokuara përgjatë autostradës, ndërsa zona është e mbuluar nga një mjegull e dendur.
Ekipet e shpëtimit kanë punuar mes automjeteve të dëmtuara për t’u ardhur në ndihmë personave të plagosur dhe për të siguruar vendngjarjen.
Sipas dyshimeve paraprake, kushtet e këqija atmosferike mund të kenë luajtur një rol vendimtar në shkaktimin e përplasjeve. Mjegulla kishte kufizuar ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve të mjeteve, ndërsa një dëshmitar ka deklaruar se dukshmëria në disa momente nuk i kalonte 30 metra.
Personat e plagosur janë transportuar drejt spitaleve në Jambol dhe Sliven, ku po marrin trajtim mjekësor. Disa prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje kritike, çka ngre shqetësimin se bilanci i viktimave mund të rëndohet.
Autoritetet bullgare po vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e saktë të dy aksidenteve dhe për të sqaruar nëse, përveç mjegullës së dendur, në përplasjet zinxhir kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë.
