Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit pasqyrohen komunikime ku Hyseni përdor shprehje që, sipas Prokurorisë, tregojnë identifikimin e saj me interesat e Agasit, në një kohë kur ky i fundit ishte në kërkim nga drejtësia.
Në një prej mesazheve të cituara në dosje, ajo shkruan: “Sa sh gjera na Kane bere ne... Te gjitha shpirt... O shpirt Kjo është një situatë që do ja hedhim... Problemi është koha... Sa konsistenc kemi...”.
Në një tjetër komunikim, sipas pjesëve të dosjes të cituara në vendim, Hyseni i shkruan Agasit: “Zemër thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne”. Ndërsa në një tjetër mesazh shprehet: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”.
Prokuroria i vlerëson këto komunikime si tregues të një lidhjeje personale dhe të vazhdueshme, që kishte vijuar edhe gjatë kohës kur Agasi ishte shpallur në kërkim. Në arsyetimin e saj, ajo pretendon se Hyseni identifikohej me interesat e tij kundrejt organeve të drejtësisë dhe shprehte gatishmëri për ta ndihmuar, duke vënë në dispozicion edhe cilësinë e saj zyrtare.
Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me komunikimet e Agasit me dy shtetas të identifikuar në aplikacionin “Signal” si “Shalev Israel” dhe “Srulik Einhorn Koces”. Në një prej mesazheve, Agasi u shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Në një komunikim tjetër, ai pretendon se drejtoresha e shërbimit sekret do të takohej me një person dhe do t’i paraqiste prova për të argumentuar se prokurori kishte vepruar për interesa të tjera.
Pikërisht këto kontakte me shtetas të huaj përfshihen në një nga argumentet më të rënda të Prokurorisë. Në vendimin e Apelit pasqyrohet pretendimi se komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasi me këta persona “tregojnë praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal”.
Ky formulim është pjesë e arsyetimit të Prokurorisë për rrezikun që, sipas saj, paraqiste lënia e Hysenit në gjendje të lirë. Nuk përbën në vetvete një vendim përfundimtar se ish-drejtoresha e SHISH-it është anëtare e një grupi të strukturuar kriminal.
Në të njëjtën pjesë të vendimit, Prokuroria thekson se funksioni i Hysenit e bënte rastin e saj veçanërisht të rëndë. Ajo argumenton se, si drejtuese e SHISH-it, kishte njohuri të thelluara mbi metodat e zbulimit, kundërzbulimit dhe lëvizjes së fshehtë të personave. Për më tepër, sipas saj, administrimi dhe verifikimi i origjinës së dokumenteve të dyshuara si sekrete lidhej drejtpërdrejt me institucionin që ajo drejtonte.
Në vendim përmenden edhe nëntë fletë me diagrame të gjetura në automjetin e Agasit, të cilat, sipas materialit të hetimit, kishin të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga SHISH-i. Prokuroria pretendon se këto dokumente, së bashku me komunikimet dhe kontaktet e tjera të evidentuara, tregojnë ndërhyrje dhe lidhje që shtriheshin përtej një raporti të zakonshëm bashkëpunimi.
Ndërkohë, në këtë fazë, ndaj Hysenit janë caktuar masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra e drejtores së SHISH-it. Ajo dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete. Pretendimi për përfshirje si anëtare e grupit të strukturuar kriminal duhet trajtuar veçmas dhe nuk mund të paraqitet si akuzë e konfirmuar në këtë vendim.
Dosja ngre kështu një pikëpyetje të rëndë mbi raportin mes një personi të shpallur në kërkim për vepra të rënda dhe drejtueses së institucionit që duhej të mbronte sigurinë kombëtare. Vlerësimi përfundimtar i përgjegjësive penale u takon organeve të drejtësisë.
© SYRI.net