Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka mbajtur fjalën në konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar për vitin 2026.
Në fjalën e tij, Demo theksoi se “lufta kundër krimit nuk është një garë statistikash, por një detyrim ndaj njerëzve që presin nga ne më shumë siguri, qetësi dhe mbrojtje”.
“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këta janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, deklaroi ministri.
Më tej, Demo u ndal veçanërisht te goditja e financave të grupeve kriminale, duke theksuar se arrestimi i anëtarëve të tyre nuk është i mjaftueshëm për të ndalur aktivitetin e paligjshëm.
“Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik, nëse nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. Ne nuk duhet ta shohim Europën thjesht si një destinacion ku duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi edhe nga fenomenet që vijnë prej saj, por duhet të jemi kontribuues në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi”, u shpreh më tej Demo.