Koncerti i orkestrës së RTSH-së, premierë nga Shpëtim Saraçi “Echoes of Spring”

Kulturë | 3 minuta më parë

Orkestra Simfonike e RTSH-së rikthehet në skenën e saj me një koncert që bashkon në një program tre kompozitorë dhe vepra të periudhave të ndryshme muzikore. Më 13 nëntor, në sallën “Ferdinand Deda”, publiku do të ketë mundësinë të shijojë muzikën e Gara Garayev, Shpëtim Saraçit dhe Felix Mendelssohn Bartholdy. Programi do të hapet me “Rapsodi Shqiptare” të Gara Garayev, për të vijuar me “Echoes of Spring”, një krijim i Shpëtim Saraçit që do të vijë për herë të parë para publikut.

“Një fantazi me një këngë popullore shkodrane përsëri. Pra, i jemi dedikuar Shqipërisë në mënyrën më të mirë për ta mbyllur më pas me një Mendelssohn, me koncertin e dyfishtë për violinë, piano dhe orkestër harqesh, që është një vepër madhore”, u shpreh violinisti Lorenc Radovani.

Një prej momenteve të veçanta të mbrëmjes do të jetë edhe koncerti për violinë, piano dhe orkestër harqesh i Felix Mendelssohn Bartholdy, ku do të interpretojnë violinisti Lorenc Radovani dhe pianistja Fatma Spahiu.

“Risia e këtij koncerti është një vepër e cila luhet për herë të parë në Shqipëri. Ajo është ‘Rapsodia shqiptare’ e Kara Karajevit. Karajevi është një kompozitor azerbajxhanas, nxënës i Shostakoviçit, shumë i njohur në të gjithë botën. Kjo rapsodi është ndërtuar mbi dy tema popullore shqiptare. Njëra është ‘Turtullesha’ e Rado Sokolit, shkodrane, ndërsa tjetra është një vallë çame”, tha violinisti.

Nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë një mbrëmje ku ndërthuren tradita muzikore, interpretimi virtuoz dhe krijimtaria e re shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme