Gabimi i inteligjencës artificiale ekspozon mbi 1 mijë fjalëkalime private në internet, Anthropic kërkon zgjidhje

Teknologji | 6 minuta më parë

Një problem sigurie në Claude Code, asistenti me inteligjencë artificiale i kompanisë Anthropic për programuesit, ka bërë që mijëra të dhëna sensitive të përfundojnë të ekspozuara në internet. Sipas një hetimi të kompanisë së sigurisë kibernetike Apiiro, mbi 100 mijë dokumente të lidhura me këtë program janë publikuar në platformën GitHub, ndërsa në më shumë se 1 mijë prej tyre gjendeshin fjalëkalime, kode shërbimesh dhe kredenciale private të kompanive.

Problemi lidhet me mënyrën se si Claude Code ruan dhe administron të dhënat në kompjuterin e përdoruesit. Ky asistent është krijuar për të ndihmuar programuesit duke kryer në mënyrë autonome një sërë veprimesh: lexon informacionin, planifikon hapat, zbaton detyrat dhe kontrollon rezultatet, pa pasur nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme njerëzore.

Sipas analizës së Apiiro-s, shkaku i ekspozimit mund të jetë një mekanizëm që përdoret gjerësisht në faqet e internetit, përmes të cilit përdoruesit mund të zgjedhin të mos marrin më kërkesa të përsëritura për konfirmimin e një veprimi. Për të respektuar këtë preferencë, programi ruan zgjedhjen në një skedar në kompjuter.

Problemi qëndron te fakti se në të njëjtin mekanizëm mund të ruhen edhe informacione shumë më të ndjeshme, si fjalëkalime apo kode aksesi në shërbime të ndryshme. Kur ky skedar kopjohet në një pajisje tjetër ose konfigurohet për t’u përdorur më vonë, cilësimet që duhet të parandalojnë shpërndarjen e tij në internet mund të mos funksionojnë siç duhet.

Si pasojë, të dhënat e ruajtura mund të ngarkohen automatikisht në GitHub, duke u bërë të aksesueshme për persona të tjerë. Hetimi i Apiiro-s ka identifikuar më shumë se 100 mijë raste të dokumenteve të publikuara në internet, prej të cilave mbi 1 mijë përmbanin fjalëkalime dhe kredenciale private.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak se heqja e skedarit origjinal nuk garanton zhdukjen e të dhënave nga interneti. Sipas raportimit, informacionet mund të mbeten të dukshme edhe pasi dokumenti nga i cili janë publikuar të jetë fshirë.

Pas evidentimit të problemit, zhvilluesit e Claude Code kanë bërë të ditur se po punojnë për një zgjidhje që të parandalojë përsëritjen e këtij ekspozimi. Kompania Anthropic nuk ka dhënë ende një zgjidhje përfundimtare, por ka konfirmuar se çështja është duke u trajtuar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme