Një avion i kompanisë Airbus ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, pasi ka përshkuar distancën më të gjatë të regjistruar ndonjëherë nga një avion komercial në një fluturim të vetëm pa ndalesë. Bëhet fjalë për modelin A350-1000ULR (Ultra-Long Range), i cili përshkoi plot 23.155 kilometra, duke qëndruar në ajër për 24 orë e 24 minuta.
Fluturimi rekord u realizua si pjesë e programit të testimit të avionit, i cili po zhvillohet për kompaninë ajrore australiane Qantas. Të dhënat e udhëtimit u verifikuan në mënyrë të pavarur nga Federata Ndërkombëtare Aeronautike (FAI) dhe platforma Flightradar24.
Avioni me kodin AIB35LR u nis nga Melburni i Australisë të hënën, më 27 korrik, në orën 17:27 sipas kohës lokale, dhe u ul në Tuluzë të Francës të martën, më 28 korrik, në orën 09:51. Gjatë këtij udhëtimi ai përshkoi 12.503 milje detare, duke kaluar mbi tre kontinente dhe dy oqeane.
Itinerari i avionit nisi nga Melburni, vijoi mbi Sidnei dhe më pas drejt verilindjes, përtej Oqeanit Paqësor, në drejtim të Los Anxhelosit. Gjatë udhëtimit, avioni kaloi Vijën Ndërkombëtare të Datës, Amerikën e Veriut dhe Oqeanin Atlantik, përpara se të vijonte drejt Europës, duke kaluar edhe mbi Londër dhe duke përfunduar udhëtimin në Tuluzë.
Një nga veçoritë më të pazakonta të këtij udhëtimi ishte fakti se ekuipazhi përjetoi dy lindje dhe dy perëndime dielli gjatë të njëjtit fluturim, për shkak të itinerarit dhe ndryshimit të zonave kohore.
Në bord ndodheshin 13 persona, mes tyre pilotë testimi të Airbus dhe Qantas, inxhinierë dhe një përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare Aeronautike.
Fluturimi rekord është pjesë e projektit ambicioz Sunrise të kompanisë Qantas, që synon të mundësojë lidhjen direkte të Sidneit me Londrën dhe Nju Jorkun, pa pasur nevojë për ndalesa gjatë rrugës.
Me avionët e rinj A350-1000ULR, kompania australiane synon të ofrojë fluturime që mund të zgjasin deri në 22 orë, duke mbuluar distanca që i afrohen 10 mijë miljeve detare.
Për të arritur këtë autonomi, Airbus ka integruar një rezervuar shtesë karburanti në pjesën e pasme qendrore të avionit, duke rritur rrezen e fluturimit me rreth 1.000 milje detare.
Drejtori ekzekutiv i Airbus Commercial Aircraft, Lars Wagner, e cilësoi arritjen si rezultat të inovacionit dhe bashkëpunimit me Qantas dhe partnerët e tjerë. Sipas tij, fluturimi dëshmoi se avioni është në gjendje të përmbushë kërkesat e linjave ajrore për udhëtime shumë të gjata.
Qantas ka porositur gjithsej 12 avionë të këtij modeli, ndërsa dorëzimi i të parit pritet në prill të vitit 2027. Fluturimet e para komerciale direkte mes Sidneit dhe Londrës janë planifikuar të nisin më vonë gjatë të njëjtit vit.
