Partia Demokratike bojkotoi dhe shmangu një përballje me Avokatin e Popullit, Endrit Shabanin, këtë të martë kur ai ishte në Komisionin e të Drejtave të Njeriut për buxhetin e 2027.
Në mungesë të kryetares Jorida Tabaku, mbledhja u drejtua nga Iris Luarasi dhe me karriget bosh të opozitarëve, mazhoranca i kërkoi llogari mbi monitorimin e protestave avokatit të popullit.
Shqetësimi i tyre, ishin policët që ranë pre e akteve të demonstruesve të dhunshëm.
“Ju keni bërë një inspektim në komisariat për të shoqëruarit, por nuk kam parë asnjë deklaratë për Policinë e Shtetit”, tha Ramion Kurti.
“Fokusi i institucionit tonë nuk është ‘dhuna e protestuesve’, është administrimi që i bën policia, ajo duhet të jetë e trajnuar për të menaxhuar qoftë edhe protestues të dhunshëm dhe kjo duhet të jetë proporcionale dhe të ligjshme. Fokusi i prokurorisë është të trajtojë dhunën ndaj policisë”, tha Shabani.
Iris Luarasi kërkoi që Avokati i Popullit të reagojë për gjuhën e dhunës të nxitur nga protesta, që sipas saj, ka tejkaluar vijën e kuqe.
“Kur ka një gjuhë urrejtjeje që është tmerrësisht agresive, e paparë ndonjëherë, unë mendoj që është detyrë e Avokatit të Popullit të dalë me deklarata, është toleruar vija e kuqe dhe ka shkuar përtej normales”, tha deputetja socialiste.
“Unë vetë kam qenë objekt i këtij sulmi, unë jam i shqetësuar, sepse gjuha e urrejtjes është vetëm hapi i parë. Hapi i dytë është inkurajimi sepse e çon gjuhën në veprim”, u shpreh Shabani.
Shtimi i numrit të monitorimeve dhe rasteve që shqyrton Avokati i Popullit, veçanërisht me këtë periudhë protestash, rrit nevojën e zgjerimit të burimeve njerëzore, me rreth 20 punonjës më shumë për të cilin institucioni kërkoi mbështetje buxhetore në komision.









Komente
Komento