Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përballen me kërcënime, presione psikologjike dhe ngarkesë të lartë pune. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar punësimin e një psikologu institucional gjatë vitit 2027, i cili do të ndihmojë jo vetëm stafin, por edhe gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Kërkesa u bë publike gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i vitit 2027.
Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme, Armand Shini, shpjegoi arsyet përse institucioni ka nevojë për një psikolog.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, tha Shini.
Përveç psikologut, SPAK ka planifikuar edhe investime për pajisje të reja, automjete dhe teknologji.
"Për vitin 2027 janë parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash, përfshirë kasaforta, grirëse letrash, mobilje dhe pajisje për ambientet mbështetëse. Ndërkohë, 30 milionë lekë janë planifikuar për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike" tha prokurori i SPAK Alfred Shehu
Gjatë raportimit, Shehu, bëri të ditur se buxheti i institucionit për vitin 2027 është rreth 2.3 miliardë lekë, ndërsa nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Sipas tij, diferenca prej 209 milionë lekësh lidhet kryesisht me shtimin e 25 pozicioneve të reja dhe pagesat për gatishmëri e orët jashtë orarit.
“Për vitin 2027, pas rishikimit të kërkesave dhe reflektimit shtesë prej 46 milionë lekë në projekt-buxhetin e miratuar, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Për rrjedhojë, ka një diferencë financimi prej 209 milionë lekë, e cila lidhet kryesisht me shtimin e organikës, me 25 punonjës, dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit. 50 milionë lekë për efektin financiar të shtimit të organikës me 25 punonjës dhe 159 milionë lekë për mbulimin e pagesave të gatishmërisë dhe orëve jashtë orarit. Kërkesat buxhetore për shpenzimet e pagave dhe sigurimeve shoqërore përllogariten mbi bazën e strukturës organike të miratuar. Për këtë arsye, në raport me tavanin buxhetor, rezulton dhe kjo diferencë prej 209 milionë lekësh, e lidhur me efektin financiar të 25 pozicioneve të reja dhe pagesat e gatishmërisë e orëve jashtë orarit. Megjithatë, kjo diferencë nuk përbën kërkesë shtesë për financim, pasi realizimi faktik i fondeve të pagave aktualisht është 60% dhe pritet të vijojë të ndikohet nga vakancat ekzistuese dhe koha e nevojshme për përfundimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”, tha Shehu.
SPAK dhe BKH kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por vetëm 220 janë të plotësuara. Nga këto, 136 punonjës janë në SPAK dhe 84 në BKH.
Në total, rezultojnë 119 vende vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH. Shehu bëri të ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve, ndërsa nevoja e institucionit është për 94 hetues të rinj. Ai shpjegoi se procesi kërkon kohë për shkak të testimeve dhe verifikimeve të pasurisë e figurës së kandidatëve.
Ndërkohë buxheti i SPAK është rritur me 608% nga viti 2020 në vitin 2026.
“Për periudhën 2020–2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme si rezultat i rritjes së volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit. Konkretisht, plani i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Rritja më e ndjeshme e planit buxhetor evidentohet në vitin 2026, lidhet me nevojën për të përballuar detyrat dhe përgjegjësitë në rritje dhe për të garantuar burimet njerëzore dhe financiare për institucionin”, deklaroi Shehu.
Ai theksoi se në vitin 2027, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Europian, SPAK do të përqendrohet te hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe gjurmimit të pasurive me burime kriminale brenda dhe jashtë vendit.










Komente
Komento