Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ka kërkuar psikologu institucional për të mbështetur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për shkak të presioneve psikologjike, kërcënimeve dhe ngarkesës së lartë me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrës.
Kërkesa u bë gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku përfaqësuesit e SPAK prezantuan nevojat buxhetore për vitin 2027.
Të lidhura
None found
Drejtori i buxhetit në SPAK, Armand Shini, argumentoi se psikologu institucional do të ofrojë mbështetje për stafin e BKH-së, por edhe do të ndihmojë në proceset hetimore.
“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit e BKH, do të asistojë dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, u shpreh Shini.
Ndërkohë, prokurori Alfred Shehu, bëri të ditur se investimet janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore të përcaktuara. Fondi do të përdoret për mobilje zyre, pajisje për ambientet mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash.
“Nevojat për investime janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore. Investimet kryesore kanë të bëjnë me 15 milionë lekë për pajisje zyre, të lidhura me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re. Investimi përfshin mobilje zyre, pajisje për ambiente mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash”, tha Prokurori Shehu.







