"Në aspektin ushtarak, për Iranin gjithçka ka marrë fund. Ne thjesht po ruajmë status quo-në," u tha Trump gazetarëve gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. "Por, nëse na duhet të ndërhyjmë sërish, jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për veprim", shtoi ai. Në Shtëpinë e Bardhë, Trump u takua me Kryeministrin e Katarit, Sheikun Mohammed bin Abdulrahman Al Thani – një ndërmjetës kyç në luftën me Iranin. Ky ishte takimi i tij i parë me një udhëheqës të huaj që pas humbjeve të rënda të partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit. Më vonë, Trump shkroi në platformën "Truth Social" se të dy udhëheqësit patën "një bisedë të shkëlqyer" dhe se "u diskutua gjerësisht lidhur me Republikën Islamike të Iranit". Ai theksoi se shtetet e Gjirit – Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Kuvajti dhe të tjera – "preferuan ruajtjen e status quo-së" në vend të sulmeve, në kuadër të asaj që ai e përshkroi si "bllokada më e madhe detare në histori" dhe operacioni tokësor "Porta e Hekurt" (Iron Gate). Trump tha se të gjitha palët ranë dakord që Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore – një çështje që nuk është e hapur për negociata – por shtoi se sulme të mëtejshme janë "shumë pak të mundshme". "Po vërejmë një vrull pozitiv drejt përfundimit të këtij konflikti dhe do të sigurojmë që interesat e Amerikës të mbrohen në çdo kohë," tha Trump. Ndërkohë, zyrtarët iranianë shprehën qëndrim sfidues ndaj presionit të vazhdueshëm nga Uashingtoni. Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, shkroi në platformën X të hënën vonë se SHBA-ja "po përpëlitet si një bixhozçi i dëshpëruar", duke i bërë thirrje Uashingtonit: "Tërhiquni nga loja. Mjaft shpikët lajme të rreme për bisedime imagjinare."