Procesi ndaj Laert Haxhiut, Noizy dhe babai i tij thirren për të dëshmuar në SPAK, Bashkim Rajku: Djali konflikte me persona nga Lushnja
Këngëtari i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, dhe babai i tij, Bashkim Rajku, janë thirrur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Përpara prokurorit të çështjes, Behar Dibra, dëshmoi babai i tij, Bashkim Rajku. Ndërkohë, vetë Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës, Detar Hysi.
Gjatë dëshmisë, Bashkim Rajku u pyet për shpërthimin me eksploziv në biznesin e familjes në Durrës, në qershor të vitit 2022. Ai tregoi se në momentin e ngjarjes kishin dëgjuar një shpërthim dhe më pas kishin konstatuar se xhamat e dyqanit ishin thyer.
“Dëgjuam shpërthimin, orën nuk e mbaj mend, pasi kanë kaluar katër vite. Dyqanin e kishim në të njëjtin pallat ku jetonim, e kishim me qira. Vumë re se ishin thyer xhamat”, deklaroi ai para prokurorit.
I pyetur se me çfarë e lidhte këtë ngjarje, Bashkim Rajku tha se nuk kishte prova konkrete, por përmendi disa konflikte të mundshme që mund të kishin të bënin me aktivitetin artistik të të birit.
“Nuk e di nuk jemi hetues. Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, u shpreh ai.
Më tej, Bashkim Rajku tregoi se një ditë përpara shpërthimit, disa automjete kishin mbërritur në ambientet ku ndodhej biznesi dhe, sipas tij, personat që ndodheshin në to kishin provokuar këngëtarin.
“Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi. Klevioli na ka dalë nga hiçi. Nuk kemi pasur asnjë njohje”, deklaroi ai.
Në dëshminë e tij, babai i Noizyt bëri me dije gjithashtu se dëmi ekonomik i shkaktuar nga shpërthimi ishte rreth 30 mijë euro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



