Detaje të reja dalin nga gjyqi në GJKKO për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut, ku dëshmitar në lidhje me vendosjen e tritolit në lokalin e tij në qershor të vitit 2022 është marrë këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se gjatë marrjes në pyetje Noizy ka deklaruar se në momentin e shpërthimit ishte në gjumë dhe u njoftua nga babai i tij: “Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”.
I pyetur nga prokuroria për funksionin e objektit, këngëtari është përgjigjur: “Funksion për të bërë lekë, shitje rrobash”. Ai ka pohuar se di se kush ia ka vendosur tritolin dhe ka përmendur emrin e Kleviol Ahmetit. Sipas deklarimit të tij: “E kam ditur kush e ka bërë. Ka dalë vetë personi, Kleviol Ahmeti, e ka thënë që e ka vënë Laerti për mua. Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice. Policia e pa fitilin e pandezur. Është e njëjta dorë. E kam sqaruar mbi 20 herë se përse e ka bërë.”
Noizy ka rrëfyer se një ditë para shpërthimit pati përleshje me Kleviol Ahmetin, i cili sipas tij erdhi në lokal me rreth 20 veta për “t’u sqaruar”, ofendoi stafin dhe këngëtarin dhe nisi përleshje fizike. Ai tha se natën e shpërthimit “shpërthen dinamiti” dhe se Kleviol “del live në TikTok” duke thënë se “pati bubullima nga Durrësi” dhe se “E ka pranuar vetë”.
Në përgjigje të pyetjes së prokurorit nëse e njeh Laert Haxhiun, Noizy ka thënë: “Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok, ka një gjyq të hapur se më ka djegur dhe makinën. Personi që e ka djegur e ka pranuar që ka marrë 600 euro.” Për burimin e informacionit dhe motivin, ai deklaroi se brenda 24 orëve Klevioli e pranoi në rrjetet sociale dhe se motivi ishte ofendimi dhe kërkimi i famës: “Erdhi për t’u sqaruar, prej vitit 2019 më shan me nënë e me babë, e bën për famë.” Kur avokati e pyeti nëse mendon se të shanë i jep famë, ai u përgjigj: “Nuk e mendoj, merr shumë famë.” Përfundimisht, Noizy kërkoi të di nëse është e nevojshme të vijë dhe të dëshmojë.
