Shpërthimi tragjik në Elbasan, ministri Demo viziton banorët, Llatja: Do të përfitojnë bonus qiraje
Ministri i Brendshëm ka zhvilluar një vizitë në pallatin e dëmtuar në qytetin e Elbasanit, ku është njohur nga afër me situatën e krijuar dhe shqetësimet e banorëve të prekur.
Gjatë takimit me familjet e prekura, ministri Demo u shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e institucioneve, duke theksuar rëndësinë e koordinimit për përballimin e kësaj situate.
“Ne jemi në pritje të raportit përfundimtar. Ne jemi këtu për të garantuar që cilido të jetë rezultati i raportit…ekspertët po vlerësojnë situatën. Nuk dua të jap hamendësime për sa i përket raportit përfundimtar. Bashkia është këtu për të dhënë ndihmën për të kaluar këtë periudhë tranzitore, por kjo do të kërkojë një zgjidhje më afatgjatë dhe do të kërkohet bashkëpunimi i disa institucioneve”, tha ministri.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, foli për masat që do të merren në ndihmë të banorëve, duke bërë të ditur se familjeve të prekura do t’u vihet në dispozicion bonusi i qirasë, për të garantuar strehimin e tyre deri në zgjidhjen e situatës.
“Kemi ndërhyrë menjëherë me forcat tona zjarrfikëse dhe janë marrë masat për shuarjen e zjarrit. Ditët në vazhdim jemi marrë me pjesën e menaxhimit të situatës. Banorët kanë pasur situata shumë të vështira, ne si bashki i jemi gjendur pranë. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë. Jemi në fazën përfundimtare të pritjes së vlerësimit nga Instituti i Ndërtimit, një raport i cili na drejton drejt një vendimmarrjeje tjetër. Momentalisht jemi në një perimetër sigurie. Kemi qenë gjatë gjithë kohës në terren me banorët për t’i ardhur në ndihmë atyre”, tha kryebashkiaku.
Llatja tha se me vendim të Këshillit Bashkiak ditën e sotme është miratuar bonusi i qirasë për të gjithë banorët.
Shpërthimi tragjik në Elbasan ndodhi të mërkurën, më 4 nëntor 2026, rreth orës 14:45, në një pallat 5-katësh në lagjen “Qemal Stafa”.
Nga shpërthimi dhe zjarri që pasoi humbën jetën dy persona, Hamit Ibro, 69 vjeç, pronari i banesës ku dyshohet se ndodhi shpërthimi. Trupi i tij u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh nën rrënoja.
Gjithashtu humbi jetën Hatixhe Berisha, 82 vjeçe. Sipas hetimeve paraprake të Policisë, shpërthimi dhe zjarri u shkaktuan nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.




