Një rrjedhje e të dhënave nga agjencia ruse e statistikave ka zbuluar se më shumë se 450.000 rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë.
Agjencia Rosstat u bë objekt i një sulmi kibernetik nga grupe që Rusia i ka shpallur organizata ekstremiste. Hakerët arritën të vjedhin të dhëna mbi ekonominë dhe humbjet njerëzore të Rusisë gjatë luftës.
Grupet e hakerëve Belarusian Cyber Partisans dhe Silent Crow siguruan të dhënat nga baza e brendshme demografike e Rosstat-it. Ato përmbanin informacione nga certifikatat e vdekjeve të regjistruara nga shkurti i vitit 2022 deri në gusht të këtij viti.
Rosstat pranoi se sistemet e saj ishin goditur nga një sulm kibernetik mes 29 tetorit dhe 1 nëntorit, por mohoi që të dhënat të ishin publikuar apo që bazat e informacionit të ishin komprometuar.
Silent Crow, një grup hakerësh aktivistë që mbështet Ukrainën, publikoi të dhënat, sipas të cilave numri i të vdekurve vlerësohet në 450.100.
Ndërkohë, grupi Cyber Partisans, i përbërë nga hakerë anonimë që kundërshtojnë regjimin e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, dha një shifër më të ulët, 393.881 të vdekur. Ky vlerësim bazohet në një metodologji më të kufizuar, e cila përfshin vetëm rastet ku si shkak i vdekjes identifikohen shprehimisht operacionet ushtarake.

Të dhënat për humbjet në fushën e betejës mbahen sekret nga të dyja palët e konfliktit, ndërsa Rusia nuk ka publikuar zyrtarisht shifrat e saj që nga shtatori i vitit 2022. Megjithatë, të dhënat e publikuara përputhen me vlerësimin e inteligjencës britanike, e cila në shtator të këtij viti llogariti se rreth 500.000 ushtarë rusë ishin vrarë në konflikt.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura britanike, marshalli i aviacionit Sir Rich Knighton, deklaroi se numri i përgjithshëm i viktimave dhe të plagosurve nga pala ruse mendohet të ketë arritur në 1,5 milionë që nga shkurti i vitit 2022.
Hakerët parashikojnë se, nëse lufta vazhdon me ritmin aktual, numri i rusëve të vrarë gjatë gjithë vitit 2026 mund të kalojë 200.000.
“Ky është publikimi më i rëndësishëm i të dhënave që kemi parë deri më tani për humbjet njerëzore të Rusisë”, tha për gazetën The Moscow Times Janis Kluge, drejtues i departamentit për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
“Besoj se tashmë është e qartë se lufta nuk ka qenë kurrë më vdekjeprurëse se sa është tani.”
Pas më shumë se katër vitesh luftë në shkallë të gjerë, si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë përballur me vështirësi në mobilizimin e trupave.

Në prill të vitit 2024, Ukraina uli nga 27 në 25 vjeç moshën minimale për mobilizim dhe ashpërsoi ndëshkimet për shkeljet e detyrimeve të regjistrimit ushtarak.
Sipas raportimeve, Rusia po rekruton çdo ditë nga 1000 deri në 1200 burra për t'i dërguar në luftë. Megjithatë, inteligjenca ukrainase vlerëson se humbjet ruse në front i kalojnë 1400 ushtarë në ditë.
Vladimir Putin pritej gjerësisht të shpallte një valë të re mobilizimi pas zgjedhjeve për Dumën Shtetërore në shtator, por Kremlini ende nuk ka bërë një njoftim të tillë.
Publikimi i këtyre shifrave vjen në një kohë kur sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë lënë pa energji elektrike qindra mijëra banesa në rajonet Dnipropetrovsk dhe Harkiv, njoftuan të dielën autoritetet dhe një kompani energjetike.
Ukraina po përgatitet për një dimër të ashpër në kushtet e luftës, ndërsa Rusia ka shtuar sulmet e përditshme ajrore, duke goditur rrjetin energjetik me dronë dhe raketa.

Sulmet ndodhën një ditë pasi Ministria e Energjisë e Ukrainës njoftoi se një sulm masiv ndaj objekteve energjetike kishte lënë pa energji elektrike banorët në pesë rajone të vendit dhe kishte penguar ndjeshëm transmetimin e energjisë në Kiev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po i intensifikon sulmet për të ushtruar presion ndaj Kievit, në prag të bisedimeve trepalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat pritet të zhvillohen në Abu Dhabi të martën dhe të mërkurën.

Në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, kompania DTEK, e cila administron rrjetin energjetik, njoftoi në Telegram se më shumë se 600.000 banorë kishin mbetur pa energji elektrike. Sipas kompanisë, një sulm gjatë natës kishte “dëmtuar objekte të rëndësishme energjetike”.
Edhe centrali bërthamor i Zaporizhjas, në juglindje të Ukrainës dhe nën kontrollin rus, humbi të dielën furnizimin e jashtëm me energji elektrike. Administrata e vendosur nga Rusia në këtë central deklaroi se linja e tensionit të lartë Ferosplavna ishte shkëputur automatikisht nga sistemet mbrojtëse për shkak të dëmtimeve.
Ndërkohë, një person u vra nga një sulm me dron ndaj një traktori në rajonin rus të Kurskut, njoftoi të dielën guvernatori rajonal Aleksandër Khinshtein. Droni goditi një traktor në fshatin Pervomayskoye, duke i marrë jetën një burri 40-vjeçar. / Telegraph – Syri.net
© SYRI.net