Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria përmbyll përgatitjet për 5 kapituj të tjerë, ministrja Dhuka: Presim vlerësimin e Komisionit Europian


Shqipëria ka përfunduar përgatitjet teknike për pesë kapituj të tjerë të negociatave me Bashkimin Europian dhe pret tashmë vlerësimin e Komisionit Europian për avancimin drejt mbylljes së tyre.

Kryenegociatorja dhe ministrja e Shtetit për Integrimin Europian, Majlinda Dhuka, e bëri të ditur këtë gjatë raportimit në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku prezantoi ecurinë e procesit të negociatave dhe prioritetet për vitin 2027.

Dhuka sqaroi se pesë kapitujt për të cilët ka përfunduar puna teknike janë kapitulli 6, “Ligji i shoqërive tregtare”; kapitulli 7, “E drejta e pronësisë intelektuale”; kapitulli 21, “Rrjetet transeuropiane”; kapitulli 13, “Peshkimi”; dhe kapitulli 17, “Politika ekonomike dhe monetare”.

“Shqipëria ka përfunduar përgatitjet teknike edhe për pesë kapituj të tjerë për vitin 2026. Puna ka përfunduar nga pikëpamja teknike dhe në javët që vijnë pritet vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian dhe fillimi i diskutimeve në COELA dhe COREPER”, deklaroi Dhuka.

Ajo bëri të ditur se vijojnë diskutimet edhe për kapitullin 3, që lidhet me lëvizjen e lirë të shërbimeve, ndërsa paralajmëroi se procesi i vlerësimit për një tjetër kapitull pritet të zhvillohet në ditët në vijim.

Sipas kryenegociatores, Shqipëria po ecën në përputhje me udhërrëfyesin e hartuar nga Bashkimi Europian, i cili parashikon mbylljen e gjashtë kapitujve të tjerë brenda vitit 2026.

Gjatë raportimit, Dhuka u ndal edhe te projektbuxheti i vitit 2027, duke theksuar se ai do të mbështesë jo vetëm negociatat, por edhe përgatitjen e institucioneve dhe ekonomisë shqiptare për anëtarësimin në BE. Ndër prioritetet ajo renditi drejtësinë, sigurinë, të drejtat e njeriut, përshtatjen e ekonomisë me standardet e tregut të përbashkët, si dhe integrimin në sistemet doganore e tatimore dhe në rrjetet europiane të transportit dhe energjisë.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, kryenegociatorja vlerësoi rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë korrupsionin në nivele të larta.

“Raporti njeh konsolidimin e rezultateve të punës nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Posaçme. Shqipëria është e qëndrueshme në rrugën e saj të reformës në drejtësi dhe në rezultatet në luftën kundër krimit, korrupsionit, përfshirë atë të nivelit të lartë”, u shpreh Dhuka.

Ajo theksoi se procesi i integrimit përfshin njëkohësisht arritjet e deritanishme dhe detyrat që vendi ka ende për të përmbushur, duke e cilësuar Shqipërinë në fazën përfundimtare të negociatave drejt anëtarësimit në familjen europiane.