Pas vdekjes së Francisco Franco-s më 20 nëntor 1975, Spanja përjetoi një periudhë të jashtëzakonshme historike të njohur si Tranzicioni Spanjoll, i cili e transformoi vendin nga një diktaturë ushtarake në një demokraci moderne dhe të qëndrueshme.

Rrugëtimi 25-vjeçar i këtij vendi, deri në fund të shekullit të kaluar, vjen i dokumentuar nga historiani Charles Powell. Ishte një proces jo i lehtë, i ndërtuar mbi kompromisin mes kundërshtarëve politikë, që u vu në provë edhe nga tentativa e grushtit të shtetit më 23 shkurt 1981. Më pas, anëtarësimi në Komunitetin Evropian në vitin 1986 shënoi një hap vendimtar drejt konsolidimit demokratik.

“Ky është një libër që trajton historinë e tranzicionit të Spanjës drejt demokracisë pas vdekjes së Frankos në vitin 1975. Ai shpjegon se si u vendos sistemi i ri politik në vitet 1970 dhe analizon vështirësitë me të cilat u përball shoqëria spanjolle gjatë procesit të tranzicionit, ku përfshihej, për shembull, një krizë shumë e rëndë ekonomike. Libri thekson gjithashtu dimensionin ndërkombëtar dhe evropian të këtij procesi. Pra, megjithëse tranzicioni drejt demokracisë ishte kryesisht një proces i brendshëm, ai kishte edhe një dimension evropian. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Bashkimi Evropian (Komuniteti Evropian, siç njihej në atë kohë) përfaqëson, ashtu si Spanja dikur, një model dhe, në thelb, një synim drejt të cilit duhej të orientoheshin aktorët politikë spanjollë. Në shoqërinë bashkëkohore, nuk është e nevojshme ta shpikësh demokracinë nga e para. Ne e dimë se nga çfarë përbëhet ajo. Në thelb, bëhet fjalë për reformimin e ekonomisë, të shoqërisë dhe për orientimin drejt integrimit evropian.”, tha autori i librit, Charles Powell.

Libri vjen si një pasqyrë historike edhe për Shqipërinë, e cila vijon të përballet me sfidat e konsolidimit demokratik.

Botuesja Arlinda Dudaj e konsideron këtë vepër më aktuale se kurrë, në një kohë kur pyetjet mbi demokracinë, lirinë dhe kulturën politike mbeten thelbësore.

“Ky është një nga ata libra që bëhet gjithmonë e më aktual. Ne gjithmonë pyesim: Çfarë është demokracia? Si vjen demokracia? A e kemi ne demokracinë? A kemi liri mendimi?”, tha botuesja Arlinda Dudaj.

Por një nga lidhjet më domethënëse me Shqipërinë vjen përmes përkthyesit Kita Sallabanda. Ai kujton vitin 1998, kur në Tiranë u organizua një seminar që mblodhi në të njëjtën sallë përfaqësues të forcave të ndryshme politike, në një vend ende të tronditur nga kriza e vitit 1997. Ndërsa për të përkufizuar situtën aktuale në Shqipëri, Sallabanda i referohet po autorit të librit

“Charles ka një shprehje shumë të bukur në këtë libër: Tranzicioni mbaron atëherë kur elementët e tranzicionit largohen nga skena politike. Në vendin tonë, ata që e bëjnë tranzicionin ende nuk janë larguar. Kjo do të thotë se tranzicioni vazhdon.”, tha përkthyesi Kita Sallabanda.

Edhe ambasadori spanjoll në Shqipëri sheh ngjashmëri në pikënisjen historike të dy vendeve: diktaturën, kufizimin e lirive dhe aspiratën për t'u bërë pjesë e Evropës.

Përtej historisë së Spanjës, libri i Charles Powell sjell një mesazh për të tashmen shqiptare: demokracia nuk konsolidohet vetëm përmes zgjedhjeve dhe institucioneve, por mbi të gjitha përmes kompromisit, përgjegjësisë politike dhe një objektivi të përbashkët kombëtar. Sepse rruga drejt Evropës nuk është vetëm një destinacion, por edhe një proces që duhet ndërtuar çdo ditë.