Akuzohet për vrasjen e shqiptarit pas konfliktit, prokuroria italiane kërkon 24 vite burg për autorin Në masa të forta sigurie, në Gjykatën e Apelit ka nisur gjyqi ndaj Ruben Saraivës.
Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, avokati po lexon ankesën dhe apelimin, përmes të cilëve kërkon shfuqizimin e dënimit të shpallur nga Gjykata e Lezhës, ku Saraiva u gjet fajtor për vrasjen e Ardian Nikulajt.
“I pandehuri është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën e tij amtare. Provat e administruara nuk krijojnë bindjen se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi. Ne e kuptojmë dhimbjen e familjarëve, por garancitë kushtetuese në gjykim duhet të garantohen. Le t’u qëndrojmë të dhënave. Në datën 27.02.2023, dëshmitarja thotë se blerësi i motorit është pak i shëndoshë dhe nuk përmendet se bëhet fjalë për një shtetas të huaj.
Rezulton se Saraiva del me pasaportën e tij nga Kapshtica. Asnjë dëshmitar nuk e njeh nga fytyra. Edmond Haxhia largohet nga Rinasi. Procedimi drejtohej në një kohë të afërt drejt Edmond Haxhisë. Në motor nuk gjendet asnjë gjurmë e Saraivës. Më datat 30-31 dhjetor, gjatë ekstradimit nga Maroku, nuk i është dhënë asnjë vendim në gjuhën e tij. Duke pasur parasysh mënyrën se si janë marrë provat, kërkojmë që procesi të vendoset në kushte ligjshmërie.
Ai ka gjuhë amtare portugalishten. Ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë të caktuar, por nuk e njeh gjuhën angleze në mënyrë të mjaftueshme“, deklaroi avokati i Saraivës.
Marrja e tij si person nën hetim, komunikimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim janë kryer vetëm në gjuhën angleze. Aktet e ekspertimit, Më përfshirë analizën e ADN-së, mbi të cilën bazohet lidhja shkencore, nuk është përkthyer.
“Dëshmia e Valbona D. është marrë në kundërshtim me ligjin. Ajo ka pasur lidhje me Edmond Haxhinë dhe ka kryer veprime konkrete. Një dëshmitare tjetër, Nertila H., thotë se ka pasur trysni dhe frikë se mos i vinin prangat. Fakti që dëshmia e saj nuk është pranuar të merret siç u kërkua për dëshmitarët e tjerë, ndërkohë që duhet të pyetej siç duhet.
Gjykata që dënoi me burgim të përjetshëm Saraivën nuk e pa kurrë dëshmitaren kryesore. Mbrojtja nuk e shmang provën e analizës së ADN-së, sepse është e vetmja provë shkencore, por, sipas nesh, nuk mund të shërbejë. Kjo sepse u mor me porosi nga autoritetet e Marokut dhe jashtë kontrollit të mbrojtjes. Mosripërsëritja e një kampioni të marrë në Shqipëri, që të krahasohej me atë në Cëmcakiz, i cili u gjet mbi një tra në shtëpinë e Edmond Haxhisë. ADN-ja nuk gjendet në asnjë objekt apo provë të lidhur me vrasjen.
I pandehuri nuk e ka fshehur kurrë miqësinë me Edmond Haxhinë dhe as vizitën në shtëpinë e tij. Kamarieri që ka qenë dëshmitar dhe banakieri thonë që autori është 1.90 i gjatë; kjo gjatësi nuk përputhet. Lëvizjet dhe largimi i shtetasit tjetër, Simpson, nuk kanë lidhje me Saraivën. Ruben Saraiva është mik i Edmond Haxhisë, por miqësia nuk është provë për fajësinë”, deklaroi më tej avokati në sallën e gjyqit.
Top Channel