Vendosni fjalën kyçe....

Gërdeci/ Mediu: U vërtetua se vendin e demontimit nuk e caktova unë


Në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, ku ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, ka nisur këtë të martë marrja në pyetje e dëshmitarëve të kërkuar nga vetë ai.

Dëshmitari i parë ishte ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Agim Lala, i cili ka qenë gjithashtu i pandehur në procesin e parë gjyqësor për shpërthimin e vitit 2008.

Gjatë dëshmisë së tij, Lala mbrojti qëndrimin se Fatmir Mediu nuk kishte përgjegjësi për përcaktimin e Gërdecit si vend për demontimin e municioneve, transportin e tyre nga ushtria apo përcaktimin e kalibrave që do të asgjësoheshin.

Ai deklaroi se ministri nuk merrej me procedurat teknike të demontimit dhe se urdhrat për administrimin e barutit jepeshin nga Shefi i Shtabit, Luan Hoxha.

“Ministri nuk merret me kalibrat dhe as procedurat e demontimit. Kostot e transportit janë mbuluar sipas dispozitave ligjore të kohës që i kishte shteti. Kishte dy urdhra për barutin, njëri të asgjësohej në natyrë, tjetri të futej në kontenier, urdhra që jepeshin nga Shefi i Shtabit (Luan Hoxha). Dorëheqjen e dhashë tek ministri, por nuk m’u pranua, arsyeja ishte për shkak të marrëdhënies me Shefin e Shtabit”, dëshmoi Agim Lala.

Pas përfundimit të seancës, Fatmir Mediu deklaroi se dëshmia e ish-bashkëpunëtorit të tij, sipas tij, rrëzoi pretendimet e Prokurorisë së Posaçme për përgjegjësinë e tij në përcaktimin e vendit të demontimit dhe procedurat e transportit të municioneve.

“Gërdeci është zgjedhur në vitin 2003 nga MEICO dhe strukturat e Forcave të Armatosura për demontimin e tankeve dhe armëve të artilerisë. Nuk e ka zgjedhur Fatmir Mediu, por Gërdeci ka qenë njohuri e plotë mes strukturave ushtarake dhe strukturave kontraktuale”, u shpreh ish-ministri.

Mediu iu referua edhe çështjes së klasifikimit të municioneve sipas kalibrit, duke pretenduar se ndarja mes kalibrit të vogël dhe atij mbi 100 milimetra ishte përcaktuar përpara se ai të merrte detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

“U deklarua qartë nga zv.shefi i Shtabit sot që nuk ka asnjë akt juridik, rregullore, manual për administrimin e municioneve sipas madhësisë, kalibër i vogël apo i madh. Po ashtu qartë u tregua që përcaktimi kalibër i vogël mbi 100 mm është një histori që ka ndodhur para se unë të jem ministër”, tha Mediu.

Sa i përket transportit të municioneve nga ushtria drejt kompanisë MEICO, ish-ministri pretendoi se shërbimi kryhej pa pagesë, pasi bëhej fjalë për struktura që funksiononin brenda të njëjtit buxhet shtetëror.

“Për atë që akuzon prokuroria për pagesat e transportit, u tha fare qartë se transporti i municioneve bëhet nga ushtria, siç ka thënë ministri. Për llogaritjen e kostove bëhet nga komanda sipas urdhrave të ministrit, që kanë qenë në fuqi, dhe mbi të gjitha transporti i municioneve nga ushtria te MEICO, qarkullimi bëhet pa para. Sepse nuk ka kuptim që strukturat e të njëjtit buxhet t’i bëjnë shërbimet me pagesë”, deklaroi ai.

Fatmir Mediu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, lidhur me procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar, si dhe me mënyrën e trajtimit dhe demontimit të municioneve. Ish-ministri i ka kundërshtuar akuzat dhe përfundimet e ekspertëve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u bë pas 12 vitesh, pas kërkesës së familjes Durda, e cila humbi një familjar në shpërthimin e 15 marsit 2008, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve në Gërdec. Tragjedia shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur.