Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar përfshirjen e një psikologu institucional në strukturën e saj për vitin 2027, me argumentin se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë në punë.
Kërkesa u paraqit gjatë raportimit të SPAK-ut në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin 2027.
Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se psikologu do të ofrojë mbështetje për punonjësit e BKH-së, por do të ketë edhe një rol në procesin hetimor, duke asistuar hetuesit gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
“Psikologu institucional është një kërkesë e shtuar, e cila argumentohet me mbështetjen që do t’i ofrojë stafit të BKH-së, pasi punonjësit e kësaj strukture përballen me presione psikologjike, kërcënime dhe ngarkesë të lartë, që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore.
Psikologu do të asistojë gjithashtu gjatë intervistave që hetuesit do të zhvillojnë me dëshmitarët e rrezikuar dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë, duke kontribuar edhe në procesin hetimor”, deklaroi Shini.
Gjatë raportimit, Shini paraqiti edhe kërkesat për zgjerimin e strukturës dhe investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm. Për vitin 2027, institucioni ka kërkuar 25 pozicione të reja pune, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.
Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione pune, ndërsa numri efektiv i punonjësve është 220. Në total rezultojnë 119 vende vakante, pjesa më e madhe e të cilave në BKH.
Sa u përket investimeve, SPAK ka parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyre, përfshirë kasaforta, grirëse dokumentesh dhe mobilie; 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve; si dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike.