Kosova merr një lajm aspak të mirë në prag të dy ndeshjeve me Izraelin dhe Irlandën në Nations League. Trajneri Franco Foda nuk do të ketë në dispozicion Lumbardh Dellovën që është larguar nga grumbullimi i skuadrës kombëtare për shkak dëmtimit.

Federata e Futbollit të Kosovës konfirmoi gjithçka teksa tha se pas ekzaminimeve mjekësore të kryera, futbollisti rezultoi se nuk ishte i gatshëm për të qenë në fushën e lojës për këto dy ndeshje. Largimi i Dellovës nga grumbullimi përbën një problem për trajnerin Franco Foda që humbet një alternativë për repartin e mbrojtjes

Lumbardh Dellova kishte probleme fizike edhe gjatë muajit tetor, kur pësoi një dëmtim në ndeshjen e kampionatit turk mes Amedsporit dhe Genclerbirligit. Pas rezonancës manjetike klubi turk konfirmoi dëmtimin dhe nisjen e rikuperimit të tij që në atë kohë u vlerësua se do të zgjaste një muaj. Dellova iu bashkua skuadrës në grumbullimin e ndeshjeve të këtij muaji, por në fund rezultoi se ai nuk do të jetë në gjendje që të ndihmojë skuadrën e tij për dy sfidat përmbyllëse të Kosovës në Nations League.

Kështu, Dellova bëhet futbollisti i tretë në radhët e Dardanëve që humbet ndeshjet e kombëtares së vendit të tij pas Valmir Matoshit dhe Erblin Osmanit.  Ndërkohë, Albian Hajdari dhe Vesel Demaku nuk janë ftuar pasi vazhdojnë të rikuperohen nga lëndimet.

Top Channel