
Një dalje e zakonshme për peshkim është kthyer në një pasuri të papritur për 26-vjeçarin Matthew Maurice nga Darwini i Australisë, i cili ka kapur rastësisht një barramundi me vlerë 1 milion dollarë australianë. I riu kishte dalë me vëllanë e tij të vogël për të kaluar disa orë së bashku në varkë, pa e imagjinuar se do të kthehej në shtëpi milioner.
Gjatë peshkimit, Maurice kapi një barramundi me një etiketë të kuqe, duke kuptuar se bëhej fjalë për një nga peshqit e përfshirë në konkursin “Peshku Një Milion Dollarësh”. Megjithatë, ai nuk e dinte se kishte kapur pikërisht peshkun që vlente çmimin e madh. Lajmin e pabesueshëm ia dha kryeministrja e Territorit Verior të Australisë, Lia Finocchiaro, e cila i tha: “Do të të jap lajmin më të mirë të jetës tënde”.
I emocionuar, 26-vjeçari telefonoi menjëherë nënën dhe vëllanë për të ndarë lajmin. “Ndihem sikur jam në ëndërr”, u shpreh ai, duke pranuar se nuk kishte shkuar për peshkim me synimin për të fituar para. Maurice tha se fillimisht dëshiron të blejë një shtëpi dhe të shlyejë detyrimet financiare, përpara se të mendojë për shpenzime të tjera.Konkursi organizohet prej 12 vitesh dhe kjo është vetëm hera e dytë që dikush fiton çmimin e madh prej 1 milion dollarësh australianë. Sfida do të vijojë deri më 31 mars 2027, ndërsa 96 peshq të tjerë me etiketa me vlerë 10 mijë dollarë secili rezultojnë ende të pakapur në ujërat e Territorit Verior.

