Reforma zgjedhore, ambasadorja e BE takohet me Gjiknurin dhe Bylykbashin: Duhen rezultate konkrete, vullnet politik dhe dialog i sinqertë nga palët
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në fokus ishin afati i ngushtë kohor, prioritetet dhe gjithëpërfshirja e procesit.
Ambasadorja Moreira de Sousa bëri të ditur se në takim u diskutua për afatin e ngushtë kohor në dispozicion të Komisionit, si dhe për fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Moreira de Sousa theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa koha kur ajo realizohet, duke nënvizuar se procesi lidhet drejtpërdrejt me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve.
Sipas ambasadores, reforma zgjedhore përbën gjithashtu një element të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet.
Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete.
Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme,” Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.




