Është zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Durrësit seanca gjyqësore ndaj Nikoll Radaçit, 57-vjeçarit që përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një të tretë në zonën e ish-Kënetës.
Gjatë seancës janë shuar dy akuza ndaj Radaçit: drejtimi i automjetit në gjendje të dehur dhe largimi nga vendi i aksidentit. Kështu, ndaj tij mbetet akuza për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e dy të miturve dhe plagosjen e një tjetri.
Seanca e sotme ka zgjatur vetëm pak minuta. Mbrojtja ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa gjykata ka vendosur ta shtyjë seancën për të hënën e ardhshme.
Aksidenti tragjik ndodhi më 3 maj 2026, në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, përplasi tre fëmijë që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën, ndërsa fëmija i tretë mbeti i plagosur.
Pas aksidentit, 57-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap nga policia. Testi i alkoolit rezultoi pozitiv, me 0.73 mg/l.













