Këngëtari Rigels Rajku, i njohur si Noizy, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut, lidhur me vendosjen e tritolit në biznesin e tij në qershor të vitit 2022.
Gjatë dëshmisë, Noizy tregoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në gjumë dhe u njoftua për ngjarjen nga babai i tij. Ai deklaroi se fillimisht nuk kishte dashur të dilte në ambientet e biznesit, pasi nuk dëshironte të shihej nga njerëzit.
I pyetur për aktivitetin që zhvillohej në objektin e dëmtuar, këngëtari sqaroi se bëhej fjalë për një biznes të shitjes së veshjeve.
Noizy pretendoi se kishte informacion për personat që qëndronin pas sulmit, duke përmendur Kleviol Ahmetin, i cili, sipas tij, kishte deklaruar në rrjetet sociale se tritolin e kishte vendosur Laert Haxhiu.
Sipas dëshmisë së këngëtarit, ngjarja ishte paraprirë nga një konflikt fizik me Kleviol Ahmetin, i cili kishte shkuar në lokalin e tij së bashku me rreth 20 persona, me pretendimin për t’u sqaruar. Noizy tha se pas ofendimeve ndaj tij dhe stafit kishte nisur një përleshje fizike, ndërsa po atë natë kishte ndodhur edhe shpërthimi.
Ai iu referua gjithashtu një reagimi të Ahmetit në TikTok, ku ky i fundit kishte folur për ngjarjen, duke e konsideruar këtë si një pranim të përfshirjes.
Gjatë pyetjeve të prokurorit, Noizy deklaroi se Laert Haxhiun nuk e njihte personalisht dhe se kishte mësuar për të vetëm pas ngjarjes. Ai përmendi edhe një tjetër çështje gjyqësore, lidhur me djegien e automjetit të tij, për të cilën tha se personi i përfshirë kishte pranuar se kishte marrë 600 euro.
I pyetur nga gjykata se ku i kishte marrë informacionet për Kleviol Ahmetin dhe cili ishte motivi i konfliktit, këngëtari u përgjigj se deklaratat ishin bërë publikisht në rrjetet sociale brenda 24 orëve nga ngjarja.
Sipas tij, përplasjet kishin nisur që në vitin 2019, ndërsa motivin e lidhi me fyerjet e vazhdueshme dhe kërkimin e famës nga ana e Ahmetit.
Në fund të dëshmisë, gjatë një shkëmbimi me avokatin, Noizy u shpreh se personat që e ofendojnë mund të fitojnë shumë vëmendje dhe famë, përpara se të pyeste nëse do të ishte e nevojshme të paraqitej sërish për të dëshmuar.

