Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’i kërkojë mendim urgjent Komisionit të Venecias për modelin e propozuar të provimit të jurisprudencës, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it e kanë paraqitur çështjen si të zgjidhur, duke pretenduar se ligji për dhënien e provimit në gjuhën shqipe ka marrë dritën e gjelbër.

Ministria e Drejtësisë sqaroi se vendimi i Qeverisë lidhet me marrjen e një vlerësimi ndërkombëtar për përputhshmërinë e modelit të propozuar me Kushtetutën dhe standardet evropiane, dhe jo me miratimin përfundimtar të ligjit.

Sipas Ministrisë, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të takohen me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe organizatat studentore. Gjithashtu, do të zhvillohen demonstrime praktike të pjesës me shkrim të provimit në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali e paraqiti vendimin si një hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit në shqip.

“Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet! Sot, në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ligjit iu dha drita e gjelbër! Pas 35 vitesh pritje, një e drejtë e merituar po bëhet realitet. E premtuam, punuam dhe po e realizojmë!”, shkroi Sali në Facebook.

Por modeli i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Shasivari, parashikon që pjesa me gojë e provimit të zhvillohet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.

Ky propozim është kundërshtuar nga studentët dhe fakultetet ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë që provimi të mbahet tërësisht në shqip. Studentët kanë paralajmëruar se mund t'u rikthehen protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Ndërkohë, pesë fakultete ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera kanë kërkuar që provimi të mund të mbahet edhe në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.

Ministri i Drejtësisë ka deklaruar më herët se synon të gjejë një zgjidhje përmes dialogut me studentët dhe fakultetet, ndërsa mendimi i Komisionit të Venecias kërkohet për të garantuar përputhshmërinë e ndryshimeve të propozuara me standardet evropiane.