Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje të Konventës Europiane në çështjen e Fredi Belerit, duke vlerësuar se vijimi i paraburgimit të tij nuk ishte mbështetur në arsye të mjaftueshme, të paktën nga 19 korriku 2023, kur hetimet përfunduan dhe dosja u dërgua për gjykim.
Beleri, i cili kandidonte për kryetar të Bashkisë së Himarës, u arrestua më 12 maj 2023, nën dyshimet për shitblerje votash.
Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se vendosja fillestare e tij në paraburgim ishte e justifikuar. Megjithatë, theksoi se, pas përfundimit të hetimeve, autoritetet shqiptare duhej të rivlerësonin nëse vazhdimi i kësaj mase sigurie ishte ende i nevojshëm dhe nëse mund të zëvendësohej me masa më të buta.
Sipas GJEDNJ-së, gjykatat shqiptare nuk morën sa duhet në konsideratë faktin se hetimet kishin përfunduar dhe aktakuza ishte ngritur. Ato gjithashtu nuk identifikuan prova konkrete që mund të rrezikoheshin nga ndërhyrja e Belerit.
Në përfundim, Gjykata vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5,450 euro, plus taksat e mundshme.
Nga ana tjetër, Strasburgu rrëzoi kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ndërsa ndodhej në paraburgim. Ai nuk arriti të merrte detyrën, pasi nuk iu dha leje për të kryer betimin.
Më pas, Beleri u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Çështja e tij ndodhet gjithashtu për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.a.b



