Qytetarët dhe bizneset kanë respektuar afatet për shlyerjen e kësteve të kredisë, duke bërë që kreditë me probleme të bien në nivelin më të ulët në gati dy dekada.
Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar kanë zbritur në nivelin 3.59%, duke shënuar një përmirësim në cilësinë e portofolit të kredive.
Ky zhvillim tregon një ecuri pozitive për sektorin bankar, pasi një pjesë më e vogël e kredive rezulton me vështirësi në shlyerje. Ulja e kredive të këqija lidhet me përmirësimin e aftësisë paguese të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe me menaxhimin më të mirë të kredive nga bankat.
Nëse vërejmë të dhënat, që prej janarit të këtij viti kreditë me probleme kanë ardhur duke u ulur. Rënia e kredive me probleme është një sinjal pozitiv për ekonominë.
Për bankat, kjo do të thotë më pak humbje dhe më pak rrezik. Ndërsa për ekonominë, tregon se familjet dhe bizneset kanë një aftësi më të mirë për të përballuar pagesat e tyre.
Një nivel i ulët i kredive me probleme mund t’u japë bankave më shumë siguri për të dhënë kredi të reja për familjet dhe bizneset.
Individët vijojnë të kenë një nivel më të ulët të kredive me probleme në krahasim me bizneset. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me faktin se kreditë e individëve kanë vlera më të vogla dhe rreziku shpërndahet në një numër më të madh huamarrësish.
Një tjetër faktor është pesha e lartë e kredive për blerjen e banesave në portofolin e individëve. Në të njëjtën kohë, kreditimi vijon me ritme optimiste.










