QSUT, hiqet nga hunda masa mishtore 3.1 kg, pacienti e kishte neglizhuar prej vitesh

Sociale | 3 minuta më parë

Një masë mishtore gjigante prej 3.1 kg në hundë është hequr me sukses nga ekipi i mjekëve të Klinikës së ORL-së në QSUT te një pacient 70-vjeçar.

Ky i fundit, që vinte edhe nga institucionet e vuajtjes së dënimit, e kishte neglizhuar masën që i varej në fytyrë prej vitesh, pasi nuk i shkaktonte shqetësime, ndërkohë që pamja e tij ishte bërë e sikletshme për vetë atë dhe për personat që kalonin kohë me të.

Shefja e Shërbimit të ORL-së, Prof. Dr. Brikena Qirjazi, sqaron për RTSH se ndërhyrje të tilla kirurgjikale, për shkak të madhësisë së masës, kanë kompleksitet të lartë.

“Masa ishte rreth 3 kilogramë, ndoshta pak më shumë. Nuk di si mund të jetojë një pacient me atë peshë të varur në trup, ndaj nuk është çudi që kishte vështirësi të mëdha. Ky ishte një rinofim masiv, një diagnozë klinike e rrallë. Është një sëmundje që prek shumë njerëz, por unë nuk kam parë ndonjëherë një përmasë të tillë. Masa ishte rreth pesë herë më e madhe se madhësia normale. Kompleksiteti i këtij rasti kërkonte aftësi të veçanta kirurgjikale, jo vetëm për ta hequr dhe pastruar masën, por edhe për të realizuar një rikonstruksion estetik sa më të mirë.”

Dr. Qirjazi sqaron opinionin publik se masa nuk ishte tumor, por rinofimë, e cila zakonisht shfaqet në përmasa shumë herë më të vogla në majën e hundës te njerëzit që e kanë këtë pjesë më të rrumbullakët.

“Kjo lloj patologjie karakterizohet nga fryrja e majës së hundës. Maja e hundës merr përmasa më të mëdha dhe shoqërohet me skuqje në formë topi.”

Neglizhenca ngjall shqetësim te profesoresha, tashmë një fenomen shqiptar për shumë diagnoza, dhe ky është një rast tipik, por pa pasoja fatale, pasi hunda ka funksionuar normalisht.

“Frika është se njeriu e do jetën, është e vërtetë, por frika e verbër të çon në rrezikimin e jetës. Jo në këtë rast, ku ishte thjesht çështje e cilësisë së jetës, por në raste të tjera po, frika e tepërt të merr jetën.”

Ndërhyrja kirurgjikale zgjati rreth 1 orë e 30 minuta dhe u asistua nën drejtimin e kirurgëve ORL: Tedi Minarolli, Brikena Qirjazi, si dhe doktorëve Kristi Tata dhe Arli Kokomani.

Rasti kirurgjikal klasifikohet si i rrallë dhe mjekët do ta referojnë atë në konferenca shkencore.

Gazetare: Sonila Mlloja

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme