Radio Televizioni Publik Zviceran (SRF) i ka kushtuar një reportazh protestave në Shqipëri dhe pakënaqësisë së të rinjve ndaj qeverisë së Edi Ramës. Kostoja e lartë e jetesës, pagat e ulëta, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës janë në qendër të rrëfimeve të dy të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit.
“Është një e ardhme e dënuar, një e tashme e dënuar dhe thjesht nuk e di se ku të shkosh apo çfarë të bësh.”
Kjo është dëshmia e Jasmina Senglas, një 24-vjeçareje shqiptare që punon në një organizatë joqeveritare, për radion publike zvicerane SRF, në një reportazh që pasqyron pakënaqësinë e brezit të ri me kushtet ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e mundësive në Shqipëri.
Nën titullin “Të rinjtë shqiptarë në kufijtë e durimit: Varfëria, korrupsioni dhe zemërimi ndaj Ramës”, media zvicerane përshkruan një vend ku protestat, të nisura nga kundërshtimi i një projekti luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.












