Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura ishin sot në qytetin e Fierit, ku organizuan aktivitetin “Ditë e Hapur”.

Qëllimi ishte edhe rekrutimi i kandidatëve për ushtarë dhe Forcat Detare. Thirrja për të rinjtë ishte: “‘Bëhu edhe ti pjesë e Forcave të Armatosura’, një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat në qarkun e Fierit.”

Ky aktivitet dhe ekspozitë u ndoqën nga qytetarët fierakë dhe të rinjtë që ishin të interesuar për rekrutimin në ushtri.

Faza e parë e rekrutimeve për ushtarë ka nisur në Fier me atë që mund të quhet një demonstrim i forcës ushtarake, duke ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

Megjithëse në rajonin e Fierit nuk ndodhen struktura ushtarake, si reparte apo regjimente, interesi dhe rekrutimi i të rinjve në ushtri është i lartë, duke e renditur këtë zonë ndër rajonet me përqindjen më të lartë të rekrutimeve.

Rritje interesi ka edhe nga vajzat që zgjedhin uniformën ushtarake. Për të gjithë të rinjtë që duan të punojnë pranë Forcave të Armatosura si ushtarë, mjafton të aplikojnë pranë Qendrës së Personelit të Rekrutimit.