Komuniteti rom në Baltëz të Fierit kërkon më shumë vëmendje nga institucionet, jo vetëm në prag të zgjedhjeve, por përmes investimeve konkrete që përmirësojnë kushtet e jetesës. Kryeplaku i komunitetit, Latif Kazanxhiu, thotë se banorët nuk kanë nevojë për karta identiteti, pasi shumica janë të pajisur me to, por për ujë, infrastrukturë dhe zgjidhjen e problemeve të pronësisë.
“Ne duam shërbimet bazike, një kartë nuk është një shërbim. Ka mungesë të ujit, të infrastrukturës. Kemi 36 vite që rropatemi nëpër zyra për një certifikatë pronësie. Kjo është ajo që duam”, shprehet Kazanxhiu.
Ai kritikon institucionet vendore, duke pretenduar se komuniteti kujtohet vetëm gjatë fushatave elektorale, kur ndërhyrjet kufizohen në investime minimale. “Sa herë që bëhen zgjedhjet, ata thonë hajde t’i japim një shërbim komunitetit rom”, deklaron ai.
Kazanxhiu ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e përfaqësimit politik dhe ndjesinë e diskriminimit. “Ata na ofrojnë kartën e identitetit për të votuar. Gjatë fushatave vijnë bëjnë ndonjë rrugicë të vogël. Ne nuk kemi një njeri që të na përfaqësojë në Parlament. Na shikojnë si njerëz të dorës së dytë”, thotë ai.
Pak ditë më parë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shoqërisë “IdentiTek” për të gjetur një zgjidhje që qytetarët romë dhe egjiptianë në vështirësi ekonomike të pajisen me dokumente identifikimi dhe të mos pengohen në ushtrimin e së drejtës së votës.
