Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka kundërshtuar zgjidhjen për provimin e jurisprudencës, pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi t’i kërkojë mendim Komisionit të Venecias për modelin e propozuar.
Sipas Llogës, në janar të vitit 2024 Qeveria votoi që provimi të zhvillohej 100% në gjuhën shqipe. Ai tha se më pas shumica parlamentare VMRO-VLEN, me Afrim Gashin në krye, e tërhoqi propozimin nga procedura parlamentare.
Të lidhura
None found
Lloga e cilësoi të papranueshme zgjidhjen e miratuar sot në Qeveri, sipas së cilës provimi do të jetë 70% në shqip dhe 30% në maqedonisht. Duke përdorur shprehjen “Dhia e zgjebur e bishtin përpjetë!”, ai u bëri thirrje të mos krenohen me diçka që, sipas tij, duhet t’i turpërojë.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi kërkesën për një mendim urgjent nga Komisioni i Venecias mbi modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Pak ditë më parë, ministri aktual i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u paraqiti përfaqësuesve të studentëve propozim-ligjin për jurisprudencën: pjesa teorike e provimit parashikohet të zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike të mbetet në maqedonisht.







